“Bregu i Vdekjes”, një bukuri që vret

“Bregu i Vdekjes”, një bukuri që vret

Një vijë bregdetare e njohur si “Bregu i Vdekjes” (Costa da Morte), në Galicia, rajon në veriperëndim të Spanjës, është emërtuar kështu duke qenë se shihet si versioni i Atlantikut Lindor të Trekëndëshit Bermuda. Që nga shekulli i 14-të, të dhënat kanë dokumentuar fundosjen e më shumë se 600 anijeve, që zhdukeshin pa lënë gjurmë, dhe mijëra jetë njerëzish të humbur.

Të famshme në këtë zonë janë edhe gurët e varreve angleze, ku pothuajse 200 marinarë britanikë u varrosën kur anija e tyre, HMS Serpent, u përplas në fund të shekullit të 19-të. 

Nuk është çudi që ky vend është kaq i rrezikshëm, pasi kushtet atmosferike dhe relievi me shkëmbinj të thepisur e bën lundrimin në këto ujëra, aspak të lehtë. Shkëmbinj të mëdhenj përshkojnë të gjithë vijën bregdetare, ndërsa ujërat krijojnë rryma të forta, me disa pjesë shumë të cekëta dhe të tjera me gurë të fshehur, jo shumë larg sipërfaqes.

Zona shpesh goditet nga stuhi të ashpra; mjegulla mund të mbulojë papritmas vendin. Ky breg asociohet me vdekjen që në kohërat antike, kur Toka mendohej se ishte e sheshtë. Vendasit besonin se pranë këtij bregu, në Finisterre (që do të thotë fjalë për fjalë Fundi i Tokës), nuk kishte asgjë tjetër përveç errësirës. Për ata që lundrojnë me këto ujëra të pabesë sot, udhëhiqen nga një mori faresh të vendosura përgjatë shkëmbinjve, në atë që njihet si “Camino dos Faros” (Rruga e Fareve), që i drejtojnë ata te një port i sigurt.

Megjithatë, “Bregu i vdekjes” ka dhe anën e tij të bukur me një peizazh me lule të egra dhe shkurre me gjelbërim. Plazhe me rërë të bardhë dhe një shteg mes shkëmbinjsh njohur si “A Furna da Espuma”, ku shkuma e detit mbulon të gjithë vendin. Pranë gjenden edhe pyje të dendura me pisha dhe eukalipte, mbushur me një aromë dehëse dhe të ëmbël, që sipas CNN Travel po tërheqin gjithnjë e më shumë turistë.