Lladrovci para mbledhjes së PDK-së:Vijoni në rrugën e themeluesve të saj

Lladrovci para mbledhjes së PDK-së:Vijoni në rrugën e themeluesve të saj

Kryetari i komunës së Drenasit Ramiz Lladrovci, ka kërkuar para mbledhjes së sotme të Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës që të dëshmohet uniteti në këtë parti në mënyrë që sipas tij të avancohen vlerat të cilat i riafirmoi ish lideri i kësaj partie, Kadri Veseli.

I pari i Drenasit tha se nga kjo mbledhje dhe nga kryetari i PDK-së Memli Krasniqi, pret më të mirën që mund të prodhojë kjo parti ku siç tha ai në ADN të saj e ka Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, shtet-formimin dhe shtet-ndërtimin  e Kosovës.

“Uroj të zhvillohen punime të mbara të KD-së dhe të emërojë kryesi të unitetit, të përkushtimit dhe vijimit të rrugës së themeluesve të saj të prirë nga Hashim Thaçi me shokë, mbi përkushtimin dhe kontributin e anëtarëve të saj që nga okupimi, gjatë luftës çlirimtare dhe pas çlirimit të vendit”, ka shkruar Lladrovci në llogarinë e tij në Facebook, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, ai tha se nga Kresia e re pret të jetë gjithëpërfshirëse, largpamëse dhe e qëndrueshme përball sfidave.

“Energjia pozitive e PDK-së do sa më parë të vihet në veprim, për të rikonfirmuar vlerat e saj, vizionin dhe rrugën euro-atlantike. Mbledhjes i uroj punë të mbarë dhe suksese ashtu si Këshillit Drejtues, Kryesisë së re dhe kryetarit Memli Krasniqi”, shkroi Lladrovci.

Kujtojmë se sot Partia Demokratike e Kosovës pritet që ta zgjedh Kryesinë e re të kësaj partie. Mbledhja do të nis nga ora 16:00.


MË SHUME NGA Nacionale