Ajo që ndodhi në Afganistan s’mund të ndodh në Kosovë
BKT
Kosovë

Ajo që ndodhi në Afganistan s’mund të ndodh në Kosovë

Qeveria e Kosovës më 16 gusht i tha PO ardhjes së afganëve në Kosovë. Në këtë datë ajo miratoi vendimin për mbrojtje të përkohshme dhe të menjëhershme të tyre, të cilët po rrezikohen nga konflikti i brendshëm në Afganistan, ku talebanët kanë marrë pushtetin në duar pas gati 20 vjetëve.

Me këtë veprim, ekzekutivi në Kosovë në fakt plotësoi kërkesën që i erdhi prej Amerikës, shkruan “Front Online”.

Avni Spahiu, që shërbeu për një kohë si ambasador i Kosovës atje, po e përshëndet rreshtimin e institucioneve vendore.

“Një vendim me vend. Duhet ta respektojmë kërkesën e aleatin tonë kryesor, sepse jemi pjesë e demokracisë, synojmë integrimin eruoatlantik. E dyta është aspekti moral, ne kemi qenë vetë refugjatë dhe e dimë çka do të thotë të jesh i përvuajtur”, u shpreh ai për “Front Online”.

Me jetësimin e këtij premtimi, Kosova, sipas Spahiut, s’do të mbesë pa përfitime.

“Në dy aspekte, atë politik sepse Kosova i dëshmon Amerikës që jemi pjesë dhe aleat i sigurt i tyre. E po ashtu në aspektin e imazhit, Kosova dëshmon një imazh humanitar e njeh dhimbjen e tjerëve dhe është e gatshme të ndihmojë me aq sa mundet”, deklaroi ai për “Front Online”.

Tërheqjen e trupave amerikane, pas gati dy dekada qëndrimi në Afganistan, ish-numri një i Kosovës në Uashington e quan vendim strategjik.

Ai hedh poshtë mundësinë kur pyetet nëse diçka e tillë mund të ndodh edhe në Kosovë.

“S’mund të bëhet paralele. Populli i Kosovës është populli më proamerikan në botë dhe Amerika është mik i yni për të na mbrojtur nga sulmi eventual i pushtuesit, Serbisë. Nuk kemi çka të frikësohemi. Duhet të frikësohemi vetëm nga vetëvetja. S’duhet të lejojmë çfarëdo force radikale të vijë në Kosovë”, theksoi ai për “Front Online”.

Zyrtarë të Shteteve të Bashkuara kanë mirëpritur vendimin e Kosovës, por edhe të Shqipërisë që të strehojnë përkohësisht afganët.

Këta të fundit nuk dihet se kur do vijnë në Kosovë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për BBC tha se kjo do të merret vesh brenda këtyre 2 apo 3 ditëve.

Sado që të jetë numri i emigrantëve afganë që do të hyjnë në Kosovë, ardhja e tyre nuk do të paraqesë asnjë rrezik për sigurinë e vendit.

Kështu thanë njohësit e sigurisë  disa ditë më parë kur u pyeten nga “Front Online”.


MË SHUME NGA Kosovë