80% e punëtorëve të vaksinuar, SBASHK: Gati për fillimin e vitit shkollor
BKT
Kosovë

80% e punëtorëve të vaksinuar, SBASHK: Gati për fillimin e vitit shkollor

Një nga parakushtet për fillimin e vitit të ri shkollor, sipas Ministrisë së Arsimit në Kosovë, është vaksinimi i personelit mësimor dhe stafit përcjellës me vaksinën kundër COVID-19.

Sipas kryetarit të Sindikatë së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) Rrahman Jasharaj në një intervistë për Ekonomia Online thotë se deri më tani rreth 80% e të punësuarve në sektorin e arsimit janë vaksinuar së paku me dozën e parë. 

“Ne shifrat e sakta nuk i kemi, sepse ato ndryshojnë çdo ditë, por nga numri tepër i vogël që ishte në fillim prej 7 mijë e 200, është ndryshuar dukshëm dhe 80% të punësuarve të sektorit të arsimit kanë marrë së paku dozën e parë të vaksinës”.

Mes tjerash ai tha se krahasuar me fillimin, procesi i vaksinimt të mësimdhënësit është duke shkuar mbarë, derisa ka shtuar se tani janë të gatshëm për vitin e ri shkollor.

“Vaksinimi i mësimdhënësve krahasuar me fillimet po shkon mbarë, dhe këtë më shumë po e thirrim nga deklaratat që i jep Ministria e Arsimit, sepse ata marrin edhe shifra të sakta nga IKSHPK dhe MSH, dhe është shtuar dukshëm numri i të vaksinuarve te personeli arsimor, personeli teknik dhe kjo na jep shpresë se sa i takon kësaj çështjeje por edhe sa i takon gatishmërisë së punëtorëve të arsimit ne jemi të gatshëm të ja fillojmë vitit të ri shkollor”.

“Ata nuk kanë pasur hezitim të veçanta apo ndonjë ide kundër vaksinës mirëpo e kanë lënë, dhe me apelin tonë dhe të MASHTI-t ata reaguan pozitivisht se vinte e shtohej numri i të vaksinuarve”.

Rritja e numrit të rasteve pozitive me COVID-19 ditëve të fundit ka ngritur shqetësimet nëse do të mund të fillojë procesi mësimor më 1 shtator me prezencë të plotë fizike.


MË SHUME NGA Kosovë