DnV për zgjedhjet e tetorit: Të emërohen më shumë gra komisionere
BKT
Kosovë

DnV për zgjedhjet e tetorit: Të emërohen më shumë gra komisionere

Koalicioni i OJQ-ve Demokracia në Veprim në një letër publike iu ka drejtuar subjekteve politike që do të marrinë pjesë në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, që të intensifikojnë përpjekjet e tyre për përfshirje më të madhe të grave në trupat menaxhuese të zgjedhjeve. 

Sipas koalicionit të OJQ-ve, përgjatë proceseve të kaluara zgjedhore, përfshirja e grave në zgjedhje, me theks në trupa menaxhuese të zgjedhjeve ka qenë minimale.

“Ne i çmojmë veprimet që ju keni ndërmarrë në të kaluarën për ta adresuar këtë problematikë dhe ju rikujtojmë që në vitin 2015 ju keni nënshkruar një deklaratë për rritjen e pjesëmarrjes së grave në këto trupa, duke u zotuar mes tjerash që të propozoni gra në të gjitha pozitat e trupave menaxhuese të zgjedhjeve në nivel prej të paktën 40%. Sidoqoftë, ky zotim nuk është përmbushur në asnjë nga proceset zgjedhore të organizuara që nga viti 2015. Në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2017, gratë përbënin vetëm 10% të përbërjes së KKZ-ve, 29% të komisionerëve në ditën e zgjedhjeve, si dhe vetëm 14% të kryesuesve të vendvotimeve. Përderisa afati zyrtar për krijimin e vendvotimeve fillon më 15 shtator, ne jemi të sigurt që ju tashmë keni filluar procesin e rekrutimit të anëtarëve të Këshillave të Vendvotimeve. Kjo periudhë është një mundësi e shkëlqyer për ju, qënë procesin e përpilimit të listave të komisionerëve, në përputhje me parimin e barazisë gjinore dhe në respektim të Deklaratës së nënshkruar nga vet ju, të propozoni numër të barabartë të komisionerëve nga të dy gjinitë, apo minimalisht në nivelin prej 40%”, thuhet në këtë letër publike. 

Sipas tyre, gratë duhet të zënë vend meritor e të barabartë edhe në kuadër të propozimeve për kryesues të vendvotimeve, prandaj subjektet politike duhet të bëjnë përpjekje serioze që të arrijnë këto objektiva dhe të japin shembull që subjektet e tyre në fundament janë demokratike, gjithpërfshirëse dhe ofrojnë mundësi të barabartë për të gjithë.


MË SHUME NGA Kosovë