Hagë, dëshmitari i tretë thotë se është maltretuar 18 ditë në Zllashë
Dëshmitari i tretë në rastin e Salih Mustafës ka thënë se në Zllashë është mbajtur 18 ditë, ku sipas tij është rrahur e maltretuar vazhdimisht.
Nën masa mbrojtëse të sigurisë, ai i është përgjigjur në pyetje përfaqësueses së Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Silvia D’Ascoli në seancën e sotme gjyqësore ku ka thënë se është rrahur nga katër apo pesë persona.
“Aty kam ndejt 17 netë, 18-n ditë jam liruar prej atij vendi, aty ka ndodh çdo ditë lloj-lloj torturash, kemi ndejt aty dhe kemi ndejt duke prit kush po vjen me të rreh, me të marrë me të dërgu në ahur dhe me të rreh, sa më kujtohet[...]Na kanë rrahur shkelma, boksa, stupca, shufra ka pasur diçka të hekurt, na kanë djeg me qiri ta mbanin qirin në shpinë, të djegshin në lloj-lloj mënyre, me rrymë, e kanë pasur një si kuti me rrymë t’i lidhnin këmbët, ka pasur lloj-lloj torturë”, ka thënë dëshmitari.
Ndërsa prokurorja e ka pyetur dëshmitarin nëse është abuzuar seksualisht por një gjë të tillë ai e ka mohuar.
Ai ka thënë se është rrahur pothuajse çdo ditë, nga katër apo pesë persona, emrat dhe pseudonimet e të cilëve pretendon se i mban mend.























