Escobar: Politikanët e Ballkanit s’kanë evoluar nga mendësia e viteve 90-ta
Sharr Travel

Escobar: Politikanët e Ballkanit s’kanë evoluar nga mendësia e viteve 90-ta

Zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar, ka thënë se shumica e shikojnë Ballkanin Perëndimor nga prizmi i viteve të 90-ta derisa Washingtoni e sheh nga prizmi i shekullit 21.

“Një nga sfidat më të mëdha dhe zhgënjimet është se politikanët vendas nuk kanë evoluar nga mendësia e viteve 90-ta”, ka thënë Escobar në Forumin për Siguri në Beograd, njofton Klan Kosova.

Ai tha se dëshira e Shteteve të Bashkuara është që të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen anëtare të Bashkimit Europian.

“Këta janë vende europiane, disa prej të cilave kanë bërë progres të madh dhe pranimi i tyre në BE nuk do të paraqiste rrezik për anëtarët ekzistues të Unionit, por një mundësi të madhe”, tha Escobar që ishte virtualisht pjesë e Forumit të 11-të të Sigurisë në Beograd.

Sipas Escobar, administrata amerikane dëshiron të zgjidhë çështjen e pazgjidhur aktualisht në Ballkan, duke shtuar se Ballkani Perëndimor ka potencial të madh për rritje të vazhdueshme ekonomike.

Escobar tha se ekonomia e Serbisë është rritur shtatë herë që nga viti 2000 dhe se ekonomitë e Malit të Zi dhe të Kosovës kanë shënuar rritje me përqindje dyshifrore në kushtet e pandemisë.

“Ne mirëpresim integrimin ekonomik të vendeve të rajonit. Njerëzit nga Ballkani janë të suksesshëm kudo që shkojnë dhe ne duam që ata të jenë të suksesshëm edhe në Ballkan”, përfundoi Escobar.

Derisa ambasadori i BE-së në Serbi Emanuele Giaufret ka thënë se zgjerimi është çështje kredibiliteti për BE-në dhe tha se anëtarësimi i Serbisë nuk ka alternativë tjetër.


MË SHUME NGA Nacionale