Komplet nëndega e VV në lagjen “Bajram Curri” del në mbështetje të Totajt
Sharr Travel

Komplet nëndega e VV në lagjen “Bajram Curri” del në mbështetje të Totajt

Njëra nga nëndegët më të mëdha të VV-së në Prizren, ajo në lagjen “Bajram Curri” ka aderuar komplet në Partinë Demokratike të Kosovës duke e mbështetur Shaqir Totajn për kryetar të Prizrenit.

Ky lajm u bë i ditur në një konferencë për media të mbajtur sot nga Partia Demokratike e Kosovës, dega në Prizren ku të pranishëm ishin të sapo aderuarit.

Kandidati për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj së bashku me shefin e shtabit, Kujtim Gashi dhe përfaqësuesin e nëndegës së PDK-së nga lagjja “Bajram Curri”, Albrim Badallaj kanë prezantuar aderimin në PDK të 14 antarëve të kryesisë së VV-së të nëndegës “Bajram Curri”.

“Jam shumë i nderuar, i lumtur dhe falenderues ndaj këtij besimi të madh që po marr çdo ditë nga qytetarët e Prizrenit pa dallim partie. Prania këtu me neve sonte e anëtarëve të kryesisë së nëndegës së Lëvizjes Vetëvendosje në lagjen “Bajram Curri”, që tashmë janë anëtarët më të rinj të ekipit tonë fitues, është dëshmi e mbështetjes gjithnjë në rritje për vizionin tonë për Prizrenin zhvillimor. Është tashmë e qartë që programi dhe vizioni jonë ka depërtuar tek çdo lagje, familje e shtëpi të komunës së Prizrenit. Ne do të qeversim për qytetarët dhe bashkë me qytetarët” është shprehur Totaj në deklarimin e tij në këtë konferencë për media.

Aktivistëve të VV-së u ka uruar mirëseradhje në Partinë Demokratike të Kosovës edhe shefi i shtabit zgjedhor, Kujtim Gashi. Ai i ka falendëruar për besimin dhe mbështetjen duke ftuar edhe të tjerët që ta braktisin kryetarin në ikje dhe të dëshuar të Prizrenit.

Ish-kryetari i nëndegës së VV-së në lagjen “Bajram Curri”,  Qëndrim Kryeziu, ish-nënkryetari, Shkodran Kryeziu, ish-sekretari organizativ Visar Xhoxhaj dhe 11 ish-anëtarë të kryesisë së VV-së kanë falendëruar Kryetarin Totaj që e hapi derën dhe i mirëpriti.

Ata u shprehën të zhgënjyer me kryetarin në ikje të Prizrenit, i cili jo vetëm që nuk përmbushi asnjë premtim të tij, por ka degraduar qytetin dhe veçmas dështimi është i dukshëm në lagjen “Bajram Curri”. Ata janë shprehur optimist se me kryetarin e ardhshëm të Prizrenit, Shaqir Totaj, do të kthehen edhe punët e mira dhe investimet në lagjet e Prizrenit.


MË SHUME NGA Nacionale