Tromp: Kosova, rrjedhojat e (mos)përfundimit të shpërbërjes së Jugosllavisë
Sharr Travel

Tromp: Kosova, rrjedhojat e (mos)përfundimit të shpërbërjes së Jugosllavisë

Nevenka Tromp, njohësja e çështjeve të Ballkanit, ish-Jugosllavisë dhe krimeve të luftës, njëherit edhe ligjëruese në Departamentin e Studimeve Evropiane në Universitetin e Amsterdamit në intervistë për Albanian Post shtjellon rrjedhën e ngjarjeve të para dhe pas-pavarësisë së Kosovës.

Duke naviguar përmes skenareve të mundshme dhe reale të pozicionit të Kosovës si shtet i pavarur në raport me Serbinë.

Ajo argumenton mbi një sërë premisash historike kundër ambicieve ekspansioniste të Serbisë, pasojave të (mos)shpërbërjes së Jugosllavisë, relativizimit të luftës së vitit në 1999 në Dhomat e Specializuara të Kosovës përmes së cilës Serbia sheh avantazhin e riformulimit të narrativës dhe karakterit të luftës çlirimtare të Kosovës.

Më poshtë mund të lexoni intervistën e plotë me Tromp.

AP: Duke pasur parasysh rrethanat aktuale dhe bllokadën që ka përjetuar dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, a shihni ndonjë rrugëdalje nga kjo, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje kompromisi. Dhe çfarë është “kompromisi” që përmendet shpesh, sidomos nga pala serbe?

Tromp: Para se të përgjigjem në këtë pyetje të rëndësishme, do të ishte e dobishme që dialogun Kosovë-Serbi – ndryshe të njohur edhe si “dialogu i Brukselit” – ta vendosim në kontekstin relevant historik dhe politik. E gjitha filloi me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008. Bashkimi Evropian i atëhershëm nuk ishte as i aftë e as s’e kishte vullnetin për ta njohur plotësisht pavarësinë e Kosovës, dhe në këtë mënyrë, Kosova qysh në ditët e para të pavarësisë së saj u sfidua nga shtetet e Bashkimit Evropian, bashkarisht me Serbinë, Rusinë dhe Kinën.

Duhet ta mbajmë në mend se edhe deri në këto ditë pesë shtete anëtare të BE-së nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur.

Kjo më së miri ilustron mundësinë që Kosova ka për t’u bërë anëtare e BE-së, dhe gjithashtu shpjegon se pse të gjitha qeveritë e Kosovës që nga 2008 e tutje kanë dëshmuar – me fjalë dhe vepra – vullnetin e tyre për t’u angazhuar në të gjitha iniciativat e BE-së për “normalizimin” [e marrëdhënieve] me Serbinë. Në lidhje me Kombet e Bashkuara, Kosova kurrë s’mund të bëhet anëtare e e OKB-së edhe kur më shumë se 50% e shteteve e kanë njohur zyrtarisht, nëse Këshilli i Sigurisë nuk e kalon.

Rusia dhe Kina – dy nga pesë shtetet që kanë të drejtë veto – janë lojtarë të rëndësishëm kur është puna te anëtarësimi i Kosovës në OKB. Ata kurrë nuk do ta lejojnë Kosova të bëhet anëtare e OKB-së për shkak të shqetësimeve të tyre të brendshme gjeopolitike. Ky ndërlikim ka krijuar situatë [të favorshme] për Serbinë që të vazhdojë luftën diplomatike mbi Kosovën dhe ta mbajë pezull në nivelin evropian dhe ndërkombëtar.

Serbia reagoi me një kërkesë për një opinion këshillues për pavarësinë në GJND (Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë), gjykatën e OKB-së me seli në Hagë. Në vitin 2010, GJND-ja lëshoi një opinion, i cili konfirmoi se pavarësia e Kosovës nuk shkel të drejtën ndërkombëtare. Strategjia e Serbisë për të rikthyer pavarësinë e Kosovës dështoi duke shkaktuar një poshtërim publik të elitës shtetërore të Serbisë para një auditori global. Serbisë iu desh të gjente një rrugë për të dalur nga ky debakël, dhe u angazhua në procese politike dhe diplomatike për të shpëtuar fytyrën e saj, për çka edhe synoi bashkëpunimin e BE-së.

Së bashku, Serbia dhe BE kanë bërë thirrje përmes Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për negociata teknike për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovën dhe Serbinë. Kosova as që u konsultua dhe qeveria e saj ishte para një situate “o merre o lëre” dhe nuk i mbeti zgjidhje tjetër veçse të ndiqte shembullin e BE-së dhe Serbisë. Bisedimet në Bruksel filluan në 2011 me tre çështje madhore për t’u trajtuar: bashkëpunimin rajonal, lirinë e lëvizjes, dhe sundimin e ligjit. Pas disa raundeve të bisedimeve ky “dialog teknik” përfundoi në 2012 me arritjen e disa marrëveshje shumë të rëndësishme, siç ishte njohja e ndërsjellë e diplomave universitare dhe pikëkalimeve të përbashkëta kufitare në Veri të Kosovës.

Çfarë pasoi pas 2012-tës, ishte faza e asaj që njihet si “Dialogu i Nivelit të Lartë”, që nisi me një marrëveshje premtuese në prill të 2013-tës, që merrej me parimet e normalizimit të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës.

AP: A mund ta shohim statusin e Asociacionit të Komunave Serbe si një pengesë kryesore në suksesin e “dialogut të Brukselit” nga viti 2013 e tutje?

Tromp: Tani, mu këtu fjala “kompromis” është e rëndësishme.

Serbia e ka humbur Kosovën në qershor të 1999-tës, duke e humbur luftën që zgjati prej 1998-tës deri më 1999, por ajo kurrë nuk e ka pranuar humjen e Kosovës si territor të saj. Edhe pse pas kapitullimit të Serbisë dhe tërheqjes së plotë të forcave të sigurisë serbe nga Kosova, Serbia kurrë nuk ka qenë e gatshme ta linte të gjithë territorin të Kosovës.

Serbia përdori skenën e “Dialogut të Nivelit të Lartë” për të avansuar agjendës e saj reale politike, d.m.th të mos pajtohej kurrë me pavarësinë e Kosovës në kufijtë post-1999 të saj. Serbia këmbënguli në status të veçantë të komunave serbe që ekzistonin tashmë si Asociacioni i Komunave Serbe në Veri të Kosovës. Dialogu i Brukselit nga viti 2013 deri në vitin 2015 kishte të bënte shumë me modalitetet për përfshirjen e më shumë komunave në konceptin e Komunitetit të Komunave Serbe në Kosovë, që përfaqësonte zgjerimin e formatit ekzistues të Asociacionit që do të riemërohej në Asociacion të Komunave Serbe dhe të zgjerohet me më shumë komuna.

Mosmarrëveshja për statusin e Asociacionit të Komunave Serbe sillet rreth kërkesave të palës serbe për autonominë e asociacionit të komunave. Pala kosovare nuk mund ta pranonte. Shqetësimi ishte se Serbia po luante me kartën e njëjtë të ndarjes etnike të serbëve në territoret të cilat i pretendon nga pjesa tjetër e Kosovës, duke ndjekur modelin e Bosnjës dhe Hercegovinës, ku territorin e Republika Srpska-s e ruajti si plaçkë lufte – pavarësisht se e humbi luftën në 1995.

Krijimi i komunave serbe në Kosovë dhe Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë u bë e mundur me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare – dhe me planin për të inkorporuar këto territore të pretenduara nga serbët në Serbi. Deri në vitin 2015, negociatat për statusin e komunave serbe ishin gati se punë e përfunduar. Dialogu i Brukselit u mbajt i gjallë deri në vitin 2017, por pa asnjë rezultat. Ky proces i drejtuar nga BE-ja kishte nevojë për njohjen reciproke të Serbisë dhe Kosovës si pikënisje për ndjekjen e anëtarësimit në BE nga të dy shtetet: do të ndihmonte Kosovën që të fillonte Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA); dhe Serbia do të vazhdonte me procesin e anëtarësimit.

AP: Serbia tani insiston në formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, gjë të cilën qeveria e Albin Kurtit, të paktën deklarativisht, e përjashton. Si do të dukej në praktikë ky Asociacion në rast se do të zbatohej?

Tromp: Kjo ekzistencë e Asociacionit të Komunave Serbe ka qenë pjesë e çdo plani të qeverisjeve të pasluftës. Çështja madhore është nëse kjo mund të realizohet pa interferime nga Beogradi. Serbia kurrë nuk e ka dorëzuar instrumentalizimin e serbëve që kanë mbetur në Kosovë për legjitimimin e zgjerimit territorial.

Kryeministri Albin Kurti tani ka përvojën e negociatave të dështuara për të njëjtën çështje në kuadër të dialogut të Brukselit dhe e di si çdo politikan tjetër në Kosovë se Serbia kujdeset më shumë për territoret e pretenduara nga serbët në Kosovë sesa për popullin serb që jeton atje.

Serbisë i është dashur t’i bëjë ballë faktit se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, dhe megjithatë kurrë nuk ka hequr dorë nga mundësia e ndarjes së Kosovës sipas avantazhit të saj. Elitat shtetërore të Serbisë obsesivisht duan të ringjallin narrativën historike, e cila është shënuar me disfatë politike edhe ushtarake në 1999 në Kosovë, që të kenë sukses në marrjen e një pjese të territorit të Kosovës përmes negociatava – kjo do të shërbente për Serbinë që të pretendojë fitore historike.

Nëse ne për një moment shpërfllim makinacionet nga Beogradi, statusi i serbëve që jetojnë në Kosovë në këtë moment – dhe po flasim për 10% të popullatës  – duhet të adresohet. Në zonat ku ata jetojnë me shumicë por edhe gjetkë në Kosovë, duhet të ruhet dhe garantohet siguria dhe respektimi i të drejtave të tyre individuale dhe kolektive të njeriut. Kjo është diçka që kërkon vëmendje politike më shpejt se sa vonë. Por preferohet që Serbia të mos përfaqësojë interesat e serbëve të Kosovës.

AP: Si ka mundësi që pas 30 vjetësh të hasim një destabilitet të tillë në rajon?

Tromp: Janë dy nivele tejet të rëndësishme të analizës, në mënyrë që t’i përgjigjem kësaj pyetje. Njëra është se shpërbërja e Jugosllavisë ende nuk ka përfunduar. Baza faktike për këtë është se pavarësisht luftërave të 1990-tave që u shënuan me përpjekjet e Serbisë për të gdhendur kufijtë post-jugosllavë me territoret e pretenduara në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë dhe që përfunduan me disfatë ushtarake – Serbia kurrë s’është trajtuar si “humbëse” nga komuniteti ndërkombëtar.

Kjo shpjegon se pse pas 30 viteve që nga ndarja e dhunshme e Jugosllavisë dhe 22 vite që kur lufta në Kosovë ka përfunduar, Serbia mban çështjen e kufijve të saj me BeH-në dhe Kosovën si një çështje të hapur politike. Atë që s’është arritur përmes luftërave agresive, Serbia e mban në agjendën qeverisjeve të saj të post-konfliktit.

Niveli i dytë i analizës ka të bëjë me agjendën të proklamuar e të fshehur të “komunitetit ndërkombëtar” dhe këtu fillimisht i referohem rolit të ShBA-së, BE-së, që atëherë kishte Mbretërinë e Bashkuar ende anëtar të saj. Shtetet e Bashkuara dhe vendet anëtare të BE-së përfaqësonin një forcë të madhe pas përfundimit të luftërave në BeH dhe në Kosovë nga forcat në kuptimin ushtarak, në kombinim me një zgjidhje politike dhe duke detyruar marrëveshjet e paqes që u pranuan nga Serbia.

Vlerësimi historik i rolit të Perëndimit është vlerësuar me përdorimin e mjeteve ushtarake përmes NATO-s duke bombarduar serbët dhe duke i detyruar ata të negociojnë dhe të pranojnë paqen në BeH dhe në Kosovë. Është vështirë të thyhet kjo narrativë e Perëndimit që shpëton myslimanët boshnjakë dhe civilët kosovarë prej mizorive të kryera nga serbët. Realiteti është shumë më i nuancuar.

Së pari, pse nuk intervenoi Perëndimi shumë më herët në luftën në BeH që të shpëtojë jetë njerëzore? Në vend që të bënte këtë, Perëndimi priti që Serbia të pushtonte Bosnjën lindore në verën e vitit 1995 dhe që të coptojë përgjysmë territorin historik të boshnjkëve në Sanxhak, duke lejuar kështu serbët që të krijojnë kufijtë e Republika Srpska-s përgjatë lumit Drina me Serbinë. Gjatë këtij procesi forcat serbe kryen krime gjenocidiale kundër popullatës boshnjake myslimane në Srebrenicë dhe Zhep.

Sa ndryshe do të kishin qenë kufijtë e Republika Srpska-s po të kishte intervenuar NATO në maj të 1992? Dhe paramendojeni si do të ishte dukur plani i paqes së Dejtonit po të ishte negocuar dhe nënshkruar në 1993?

Pyetje të ngjashme janë relevante edhe për Kosovën? Pse Perëndimi pranoi që mbante Kosovën jashtë negociatave të Dejtonit mu ashtu siç kishte kërkuar Millosheviçi? Sa e ndryshme do të kishte qenë historia e Kosovës nëse politika e represionit të aparteidit të Serbisë në Kosovë do të trajtohej në pakon e paqes së Dejtonit në 1995? Dy shtete të post-Jugosllavisë me shumicën e popullsisë myslimane ishin arena e krimeve më të tmerrshme nga forcat e armatosura serbe.

Pushtimet territoriale serbe në të dyja luftërat – në BeH dhe në Kosovë – ishin planifikuar nga të njëjtat elita politike nën udhëheqjen e Sllobodan Millosheviçit. Plani kriminal bazohej në planin e Serbisë për të ndarë etnikisht serbët nga joserbët dhe më pas për të homogjenizuar etnikisht territoret nën kontrollin serb. Kufijtë e RS-së u finalizuan nga krimet gjenocidale në Bosnjën lindore dhe u mbyllën nga marrëveshja e paqes e Dejtonit. Pas kapitullimit të Serbisë dhe nënshkrimit të marrëveshjeve të Beogradit dhe Kumanovës që vulosin humbjen e Kosovës për Serbinë, nuk kishte logjikë ushtarake dhe politike për ta mbajtur territorin e veriut të Kosovës nga pjesa tjetër e Kosovës.

Duke e bërë këtë, komuniteti ndërkombëtar në thelb krijoi të njëjtin plan të ndarjes etnike siç ishte rasti në BeH.

A mund të jetë rastësi që bashkësia ndërkombëtare ka pranuar ndarjen territoriale të BeH-së dhe të Kosovës dhe që kjo ndarje ka mbijetuar dekada pas përfundimit të luftës? Ndarja e brendshme territoriale e BeH-së dhe e Kosovës i ka bërë këto dy shtete, shtete jofunksionale. Ekzistenca e Republika Srpska-s dhe Asociacionit të Komunave Serbe gjithashtu mban gjallë ambicien e Serbisë për “korrigjimin e kufijve”.

Atë që elitat shtetërore të Millosheviçit dështuan ta arrijnë përmes luftërave agresive dhe kryerjen e mizorive kundër popullatës joserbe, elitat shtetërore të post-Milosheviçit përpiqen ta arrijnë tani përmes mjeteve diplomatike dhe me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare tani është përdorur si argument për ndryshim të kufijve të tyre si zgjidhje për t’i bërë ato shtete “të qëndrueshme” dhe “funksionale”.

AP: U fol për korrigjim të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili thuhej se do t’i jepte Serbisë veriun e Kosovës dhe në këmbim Kosova do të merrte Luginën e Preshevës. Çfarë mendimi keni për një skenar të tillë dhe a ka dështuar si i tillë?

Tromp: Në situatën e tanishme gjeopolitike, ekzistojnë skenarë të mëposhtëm për hapësirën gjepolitike të post-Jugosllavisë. Skenari i parë ka qenë në tryezë të negociatave por pas dyerve të mbyllura. Çfarë dimë për këtë nismë vjen prej burimeve të fragmentuara dhe nuk është e rastësishme që skenari i “korrigjimit të kufijve” u ringjall pas dështimit të dialogut të Brukselit.

Serbia ishte pjesëmarrëse në negociatat e udhëhequra nga BE-ja për të arritur ndryshimin e kufijve me Kosovën. Kjo “marrëveshje” përfshinte shkëmbimin e territoreve dhe të popullsisë sipas së cilës Serbia do të merrte veriun e Kosovës me katër komunat e saj, Mitrovicën Veriore, Leposaviçin, Zubin Potok undhe Zveçanin me një popullsi prej rreth 70.000 serbë të Kosovës. Në këmbim, Kosova do të merrte Luginën e Preshevës me komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me rreth 70.000 banorë shqiptarë. Dy rajonet janë të përmasave të ngjashme për nga territori dhe numri i popullsisë. Megjithatë ky skenar është arkivuar pak a shumë tani për arsye shumë të rëndësishme dhe të vlefshme.

Së pari, ajo do të shndërrohej në argument vetëshërbyes për Serbinë të thoshte se kishin të drejtë qysh në fillim kur Millosheviçi ia hoqi Kosovës autonominë dhe më pas futi regjimin e aparteidit me pretekstin se ekzistenca fizike e serbëve në Kosovë ishte e kërcënuar nga shumica shqiptare e Kosovës. Udhëheqja e Aleksandër Vuçiçit, 35 vjet e tutje do të merrte lavdinë e “shpëtimit” të serbëve duke i bashkuar me Serbinë.

Së dyti, ndryshimi i kufirit të Serbisë me zgjerimin e saj brenda territorit të Veriut të Kosovës do të përdorej nga Beogradi për të rishikuar shkallën e disfatës historike ushtarake dhe politike që Serbia pësoi në Kosovë në vitin 1999. Përfshirja e veriut të Kosovës si një plaçkë lufte brenda Serbisë do të shërbente si një ngjarje për të shpëtuar fytyrën e që më pas do të përdorej nga Serbia për të riformuluar kapitullimin e saj në një fitore 30 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë.

Së treti, ky lloj “korrigjimi i kufijve” do të ishte precedent për më shumë korrigjime kufitare dhe Serbia do ta kishte përdorur për të insistuar në përfshirjen e RS-së në territoret e saj. E gjithë kjo do të çonte në një efekt domino që do të pasonte në më shumë kaos.

Do të ishte gjithashtu interesante të analizohej pse qeveria e Kosovës në atë kohë po mendonte të angazhohej në “korrigjimin e kufijve”.

Skenari i dytë për ndryshimin e kufijve është ai që përfshin një ndryshim të njëanshëm të kufijve të tipit që kreu i RS-së, Milorad Dodik, ka përgatitur prej disa kohësh duke deklaruar formimin e një ushtrie të RS-së dhe zyrës doganore të RS-së. Çdo ndryshim i njëanshëm i kufijve mund të çojë në konflikt të armatosur. Sapo të fillojë lufta, nuk ka siguri se cila palë do të fitojë. Kemi shumë shembuj në histori ku një shtet futet në luftë, humb dhe zhduket nga harta.

Beogradi armatoset dhe e trumbeton atë përmes mediave. Vuçiç dhe Dodik shkojnë të dy në Moskë dhe krijojnë përshtypjen se kanë Rusinë në krah. Realiteti i luftërave të fundit na tregon se Rusia nuk ka bërë kurrë asgjë për të ndihmuar Serbinë në përpjekjet e saj luftarake: në mars 1991, gjenerali Yazov refuzoi të ndihmonte për të mbajtur Jugosllavinë të bashkuar; dhe në qershor 1998 Yelcin refuzoi të ndihmonte Millosheviçin për të mbajtur Kosovën.

Nuk ka asnjë arsye për të menduar se Rusia do të përfshihej në një luftë rajonale duke rrezikuar një luftë evropiane për të ndihmuar Serbinë. Rusia ka qenë e përfshirë në luftëra hibride në Ballkan, të cilat nuk synojnë të ndihmojnë asnjë nga lojtarët vendas si për shembull Serbinë. Rusia përdor Ballkanin për të destabilizuar Evropën, pra BE-në me anë të politikave që kombinojnë frikën, indiferencën dhe oportunizmin. Fuqitë perëndimore sigurisht që nuk duan një luftë tjetër në tokë evropiane.

Vitet 2020 dallojnë shumë nga vitet 1990 dhe çështjet aktuale strategjike, si kriza aktuale e refugjatëve, tregojnë se konfliktet e armatosura në Ballkan do të krijonin kaos dhe shumë rezultate të padëshiruara dhe ndryshe prej atyreve të synuara. Megjithatë, shpërthimi i luftës nuk është gjithmonë një vendim racional i njërës palë. Konflikti i armatosur mund të jetë gjithashtu rezultat i një sërë gabimesh dhe përshkallëzimesh lokale.

Kjo sigurisht e bën opsionin e luftës si pasojë të ndryshimeve të njëanshme të kufijve një realitet të zymtë. Serbia tregoi se i humbi të gjitha luftërat në vitet 1990 dhe nuk ka asnjë garanci se armatimi i tepërt i saj do të çojë në fitore ushtarake. Pa ndonjë aleat nga jashtë, si Rusia për shembull, Serbia mund të nisë luftëra të reja dhe t’i humbasë përsëri. Kjo mund të çojë në ndryshimin e kufijve aktualë të Serbisë në dëm të saj.

Dy skenarë të tjerë bazohen në mbajtjen e kufijve aktualë ashtu siç janë. Njëri skenar është kur komuniteti ndërkombëtar pranon tensionin rreth kufijve dhe mban në rajon një situatë paqëndrueshmërie të përhershme, sipas modelit që është krijuar në Lindjen e Mesme. Paradoksalisht, destabiliteti i përhershëm bëhet gjithashtu model për të kontrolluar rajonin.

Skenari më premtues do të ishte ai i një integrimi të shpejtë euroatlantik me anë të të cilit të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor bëhen anëtarë të NATO-s dhe BE-së në të ardhmen e afërt dhe të parashikueshme. Për këtë NATO dhe BE duhet të marrin një vendim politik dhe të mos fshihen pas politikave, rregullave dhe rregulloreve. Kohët e krizave kërkojnë lloje të ndryshme vendimesh dhe marrjen e rreziqeve.

Anëtarësimi në NATO dhe BE do t’i bënin të parëndësishëm kufijtë e diskutueshëm të shteteve të Ballkanit Perëndimor – ose së paku të një rëndësie më të vogël. Serbia mund të jetë i vetmi shtet që ka rezerva për të ardhmen e saj në BE. Ajo ka deklaruar shumë kohë më parë që nuk do të bëhet kurrë anëtare e NATO-s për shkak të ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999 që çoi në humbjen ushtarake të Serbisë dhe humbjen e Kosovës.

Objektivi i saj për t’u bërë anëtar i BE-së nuk ka qenë politikisht e dhënë. Por të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor e shohin integrimin euroatlantik si perspektivën e vetme konkrete të së ardhmes. Që kjo të bëhet realitet, Perëndimit dhe Brukselit do t’i duhet të çlirohen nga stereotipet islamofobike dhe të pranojnë se muslimanët në BeH, Kosovë dhe Shqipëri – ata të laicizuar dhe praktikues – janë pjesë e kulturës evropiane dhe duan të mbeten të tillë.

AP: Çfarë mendimi keni për ish-pjesëtarët e UÇK-së që po gjykohen në Gjykatën Speciale të Hagës për krime lufte, njëri prej tyre edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi? Mendoni se paditë ndaj tyre kanë bazë të fortë dhe si mendoni që procesi ndaj tyre do të zhvillohet në kohët në vijim?

Tromp: Krijimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës ka qenë një nga koncesionet që është bërë ndaj Serbisë gjatë kohës së dialogut në Bruksel. Serbia përderisa është angazhuar në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, ka mbajtur gjithmonë agjendën e saj të fshehur. Serbia në realitet asnjëherë nuk ka qenë e gatshme të pranojë ndonjë kompromis që do të kërkonte njohjen e saj të Kosovës si shtet i pavarur. Qëllimi i Serbisë ishte ta njihte atë vetëm nëse mund ta merrte veriun e Kosovës.

Megjithatë, në procesin e dialogut të Brukselit që Serbia kërkoi dhe mori shumë lëshime, një nga koncesionet ishte shtyrja e agjendës së themelimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës për t’u marrë me pretendimet për praktikat e “trafikimit të organeve”, siç përshkruhet nga ish-prokurorja e ICTY-së, Carla del Ponte dhe bashkatdhetari dhe kolegu i saj Dick Marty.

Hetimi ndaj këtyre akuzave mizore që fillimisht u shfaqën në vitin 2008 dhe më pas u mbajtën gjallë në Raportin e Marty-t të vitit 2011, çoi në krijimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në vitin 2015. Sfondi politik i krijimit të kësaj gjykate është i tillë që implikon edhe elitat qeverisëse të Kosovës në atë kohë, se si Kushtetuta e Kosovës është dashur të ndryshohet për të themeluar këtë gjykatë jashtë territorit të Kosovës.

Këto ndryshime u bënë nën presion të madh politik nga ShBA-ja dhe BE-ja, dhe përfaqësuesve të shtetit të Kosovës nuk u mbeti zgjidhje tjetër veçse t’i binden, duke e ditur se janë përfshirë në një precedent të rrezikshëm për Kosovën.

ZPS u krijua në vitin 2015 për të hetuar dhe gjykuar vetëm anëtarët e UÇK-së për krimet që Serbia pretendon se janë kryer kundër serbëve të Kosovës. Në mandatin e ZPS-së, raporti i Marty-t është përmendur si pikënisje, por asnjë pretendim për “trafikim të organeve” nuk i mbijetoi kontrollit të realitetit.

Megjithatë, Serbia e përdor “trafikimin e organeve” si një mënyrë për të demonizuar “shqiptarët e Kosovës dhe veçanërisht UÇK-në”. Themelimi i kësaj Gjykate për Serbinë ishte një fitore e madhe diplomatike. Serbisë i mjafton vetëm hapësira që këto gjykata që të relativizojnë kryerjen e krimeve nga forcat e armatosura serbe kundër civilëve të Kosovës në vitet 1999.

Duke “demonizuar” UÇK-në, ajo në fakt e zhvendos vëmendjen nga pala serbe si “kryerësi” kryesor i krimeve në konfliktin e Kosovës dhe e riformulon atë te UÇK-ja dhe te pala shqiptare e Kosovës. Vështirë se dikush e përmend faktin se në aktakuzat e deritanishme ka vetëm një pjesë të vogël të viktimave të përmendura, nga të cilat shumica kanë të bëjnë me shqiptarët e Kosovës – të cilët UÇK-ja i konsideronte si spiunë apo bashkëpunëtorë serbë. Themelimi i ZPS-së i shërbeu përpjekjeve të Serbisë për të relativizuar përgjegjësinë penale dhe për ta rishfaqur UÇK-në në rolin e “keqbërësve”.

Kjo ishte edhe pjesë e strategjisë për t’i krijuar Serbisë rrethana të favorshme diplomatike për të kthyer çështjen e kufijve të Kosovës në tryezën e bisedimeve. Serbia përdori dialogun e Brukselit për të shtyrë përpara “ringjalljen e reputacionit” të saj dhe ZPS ishte një fitore e madhe në këto përpjekje. Të gjithë indikatorët tregojnë se BE-ja ka shtyrë themelimin e kësaj gjykate për hir të përshtatshmërisë politike në procesin e arritjes së marrëveshjes për “normalizimin” e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Realisht, Serbia asnjëherë nuk ka dashur të “normalizojë” marrëdhëniet me Kosovën. 10 vjet pas dialogut të Brukselit, Serbia nuk është afruar as edhe një centimetër drejt njohjes së Kosovën.

ZPS e kryen punën e vet larg vëmendjes së publikut. Unë i shikoj procedurat gjyqësore të publikuara në YouTube nga zyra e kontaktit të ZPS-së. Ndonjëherë, unë jam e para që shikoj regjistrimin e postuar. Vetëm disa nga videot tregojnë se kanë më shumë se 300 shikues. Me pak fjalë, nuk ka asnjë interes nga bota e jashtme për këto procedime.

Profesionistët dhe studiuesit ligjorë nuk i ndjekin ato pasi shumë prej tyre nuk e marrin seriozisht. Është e rëndësishme që këto procedura të ndiqen në Kosovë nga profesionistë juridikë, zyrtarë shtetërorë dhe publiku.

Vendosja e komandantëve të UÇK-së në gjyqe duke i akuzuar për krimet e kryera gjatë konfliktit të armatosur në periudhën e viteve 1998 dhe 1999, ka të bëjë edhe me natyrën e luftës çlirimtare me të cilën Kosova u çlirua nga sundimi i aparteidit serb.

AP: Mendoni se Open Balkan është një nismë që shmang luftat e mundshme në Ballkan?

Tromp: Nuk mendoj se nisma e Ballkanit të Hapur ka për qëllim shmangien e luftërave të mundshme. Mendoj se kjo nismë është e nxitur nga agjenda gjeopolitike e Serbisë. Gjithashtu tregon se sa e aftë është Serbia për të çuar përpara agjendën e saj gjeopolitike. Duke e shfrytëzuar dialogun e Brukselit për qëllimet e veta, Serbia ia doli të zhvlerësojë politikanët si Thaçi dhe Veseli, të cilët dhanë dorëheqjen pasi ZPS-ja ngriti aktakuzat kundër tyre dhe ka kaluar në fazën tjetër të planifikimit të saj gjeopolitik duke ndjekur nismën e Ballkanit të Hapur.

Me një iniciativë të tillë si Ballkani i Hapur – aktualisht e mbështetur nga Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria – Serbia po përpiqet të rishikojë kufijtë e shteteve post-jugosllave si parakusht për hyrjen e Serbisë në BE. Kjo nismë, e cila quhet edhe “Shengeni i vogël”, flirton me anëtarësimin në BE, ndërkohë që në fakt kërkon një mënyrë që Serbia të legjitimojë konsolidimin (lexo zgjerimin) e kufijve të saj post-jugosllavë dhe të ndryshojë kufijtë e Serbisë dhe Shqipërisë duke shkëmbyer territore sipas parimeve etnike.

Kështu që veriu i Kosovës t’i përket Serbisë dhe pjesa tjetër e Kosovës të shkrihet me Shqipërinë postkomuniste në një shtet. Kjo nismë synon të krijojë një shtet të zgjeruar të Serbisë dhe Shqipërisë në kurriz të shteteve fqinje më të vogla me popullsi serbe dhe shqiptare. Prandaj, nuk është për t’u habitur që kjo nismë nuk ka mbështetjen e Kosovës, Malit të Zi dhe BeH-së.

Por është për t’u habitur që ka mbështetjen e Maqedonisë së Veriut, sepse kjo qasje për t’i dhënë fund shpërbërjes së Jugosllavisë vë në pikëpyetje drejtpërdrejt integritetin territorial të këtij vendi, sepse kush do të jetë në gjendje të ndalojë përfshirjen në këtë Shqipëri të Re pjesët perëndimore të Maqedonisë së Veriut ku jetojnë shqiptarët në enklava etnike?


MË SHUME NGA Nacionale