Avokatët e Popullit kërkojnë ndriçimin e rasteve të krimeve të luftës
Sharr Travel

Avokatët e Popullit kërkojnë ndriçimin e rasteve të krimeve të luftës

Avokatët e Popullit nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë vizituar të enjten ekspozitën, “Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë”, ku shihen rrobat dhe gjërat e fëmijëve të vrarë dhe zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Tre homologët kërkuan që përgjegjësit për këto krime të dalin para drejtësisë dhe një ashtu të ketë angazhim shtesë për memorizimin dhe dokumentimin e mëtejshëm të krimeve serbe.

Avokati i Popullit të Kosovës, Naim Qelaj, tha se kjo ekspozitë tregon ndjeshmërinë dhe nevojën për ndriçimin e krimeve të luftës. 

“Sa e ndjeshme mund të jetë kjo që shohim këtu, aq më shumë shtohet përgjegjësia e institucioneve me bërë ma shumë më tepër për ndriçimin e rasteve të krimeve të luftës. Shoqëria jonë së paku me gjetur paqe duke qenë të sigurt se ata që i kanë kryer këto akte të dalin para drejtësisë. Në anën tjetër familjet të gjejnë në anën morale dhe kuptuar që është rivendosur drejtësia për ta. Në anën tjetër është përgjegjësi institucionale memorizimi dhe dokumentizimi i të kaluarës sepse në rast që nuk arrijmë me bërë këtë, rruga drejtë të ardhmes ka me qenë më e pasigurt. Ndërtimi i paqes dhe vet dialogu mes popujve ka me qenë më i vështirë”, tha ai. 

Mes emocionesh, përgjegjësi për krimet e luftës kërkoi edhe avokatja e Popullit të Shqipërisë, Erinda Ballanca. 

“Duhet bërë gjithçka që vështrimi i tyre të paktën të jetë i qetë. Njerëzimi ka mbajtur një qëndrim ndaj a tyre që kanë kryer këto krime. Vetëm atëherë ne mund të vijmë t’i shohim dhe kuptojmë si një të keqe të harruar. Por, për sa kohë nuk ka përgjegjës për ata persona që kanë kryer një veprim të tillë, askush prej nesh nuk mund të jetë i qetë për të kthyer shikimin e këtyre fëmijëve, i cili është i pafalshëm”, shtoi ajo. 

Ndërkohë,homologu i tij nga Maqedonia e Veriut, Naser Ziberi tha se mos përgjegjësia për krimet serbe në Kosovë është padrejtësi për shqiptarët. 

“Edhe faktori ndërkombëtar si duket sa kalon koha krijon një distancë dhe dalëngadalë sikur e barazon viktimën dhe agresorin. Madje në raste të caktuara edhe e shpërblen. Kjo është një padrejtësi e rëndë dhe ne shqiptarët e përjetojmë edhe më rëndë”, theksoi ai.

Angazhim më të madh të institucioneve në dokumentimin e krimeve të luftës kërkoi Bekim Blakaj, nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

“Kisha pas dëshirë që ma shumë përfaqësues të institucioneve të vizitojnë dhe mos t’i mbetet barra vetëm shoqërisë civile në momorizimin dhe dokumentimin e së kaluarës. Por këtë rol ta marrin edhe institucionet përkatëse”, tha ai.