Shoferi iu përfshi në aksident fatal, jep dorëheqje ministri i Portugalisë
Sharr Travel

Shoferi iu përfshi në aksident fatal, jep dorëheqje ministri i Portugalisë

Ministri i Brendshëm i Portugalisë, Eduardo Cabrita, dha dorëheqjen pasi shoferi i tij u përfshi në një aksident automobilistik që la pa shenja jete një punonjës rrugor, derisa zyrtari qeveritar ishte në ulësen e pasme.

Ministrit, i cili iu bashkua kabinetit të kryeministrit Antonio Costa në vitin 2015, kur Partia Socialiste erdhi në pushtet, i është kërkuar të japë dorëheqjen që nga aksidenti fatal.

Ai vazhdimisht refuzoi ta bënte këtë, por të premten, prokurorët publikë e akuzuan zyrtarisht shoferin e tij për vrasje nga pakujdesia, duke thënë se ai ishte duke vozitur mbi shpejtësinë e lejuar kur përplasi punëtorin 43-vjeçar të autostradës, i cili ishte baba i dy fëmijëve, shkruan Reuters, transmeton Klankosova.tv.

“Më shumë se kushdo tjetër, më vjen keq për këtë humbje tragjike, të pariparueshme”, tha Cabrita në fjalimin e dorëheqjes.

Menjëherë pasi Cabrita dha dorëheqjen, kryeministri Costa u tha gazetarëve se ai pranoi dorëheqjen e ministrit dhe ia kishte komunikuar atë presidentit.