Ngecjet në përmbushjen e agjendës legjislative të qeverisë
BKT
Kosovë

Ngecjet në përmbushjen e agjendës legjislative të qeverisë

Kosovare Gashi/Radio Kosova

Ndonëse qeveria kishte planifikuar miratimin e rreth 200 projektligjeve për vitin 2021, deri më tani në kuvend janë miratuar vetëm 14 prej tyre.

Monitorues të punës së kuvendit vlerësojnë se shkak për këtë është mungesa e kuorumit në kuvend dhe efikasiteti i pamjaftueshëm i qeverisë për dërgimin e projektligjeve në kuvend.

Me mungesë kuorumi, e dështim seancash po përballet edhe legjislatura aktuale e Kuvendit të Kosovës, ani pse shumica e deputetëve i takojnë një partie politike. Për monitoruesit e punës së Kuvendit mospërmbushja e agjendës legjislative në kuvend po ndodh për shkak të papërgjegjësisë së deputetëve, por edhe për shkak të qeverisë.

Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha për Radio Kosovën se edhe në këtë legjislaturë janë duke vazhduar problemet me të cilat janë përballur edhe legjislaturat e kaluara. Përgjegjës për këtë Cakolli e bënë qeverinë.

“Edhe në këtë legjislaturë jemi duke u përballur me pamundësinë për ta përmbushur agjendën legjislativen, në të cilën kanë ndikuar disa faktorë mes tjerash edhe vetë deputetët e Kuvendit. Ajo çfarë kemi parë është që qeveria në radhë të parë nuk ka sjell në kuvend të gjitha projektligjet e parapara sipas agjendës së saj legjislative”, tha ai.

Cakolli vlerëson se duhet të ndërmerren masa ndëshkuese ndaj deputetëve, që të jenë më të përgjegjshëm në punën e tyre.

Ndërkaq, analisti politik, Dorajet Imeri, konsideron se mospërmbushja e agjendës legjislative në mungesë të kuorumit mund ta fusë vendin në krizë politike.

“Deputetët e Kuvendit duhet të jenë në mënyrë të vazhdueshme në seancat e Kuvendit për të debatuar apo për të propozuar ligje dhe amendamente në mënyrë që të krijohet baza e funksionimit normal.

Sjellja aktuale e tyre tregon qartë që Kosova gradualisht po shkon në një krizë politike, sepse nuk po arrin t’i kryejë objektivat e veta”, deklaroi Imeri.

Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti në maj të këtij viti në planin legjislativ për vitin 2021 kishte planifikuar dërgimin për miratim në Kuvend të 192 projektligjeve, ndërkohë ky plan ka pësuar disa ndryshime.

Legjislatura e tetë, e dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit deri tani ka miratuar vetëm 14 ligje, shumica prej të cilave marrëveshje ndërkombëtare.


MË SHUME NGA Kosovë