Devolli Group dhuron rreth 70 dhurata për fëmijët me autizëm
Edhe këtë vit, kompania “Devolli Group” për nder të festave të fundvitit ka zgjedhur të gëzojë fëmijët e Shoqatës së Autizmit në Prishtinë. Atje Devolli Group ka dhuruar rreth 70 dhurata për 70 fëmijët e kësaj shoqate. Ndërkohë që mirënjohje për këtë shprehin prindërit dhe stafi i shoqatës.
Faton Pranxha nga departamenti i marketingut tek “Devolli Group”, thotë se në këto dhurata ka produkte të tyre, kukulla, lodra dhe çokollata. Ndërkaq shton se kompania e Devollit po ndihet mjaftë mirë që po i gëzon fëmijët me autizëm.
“Janë afro 70 dhurata për Qendrën e Autizmit në Prishtinë , si çdo vit edhe këtë vit i mbështesim me disa dhurata simbolike këta fëmijë që kanë nevojë për ne, për dashurinë tonë për këtë fundvit. Qe shumë vite i përkrahin jo vetëm shoqatën e autizmit por edhe shoqatat tjera që kanë nevojë për dhurata. Në këto dhurata janë disa nga produktet tona, po ashtu kemi sjellë edhe disa kukulla, çokollata edhe lodra. Kompania ‘Devolli’ besoj që ndihet mirë, si pronari, si të gjithë, që edhe ne t’i gëzojmë këta fëmijë”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, Hatixhe Krasniqi, prind i fëmijës me autizëm por edhe e punësuar në këtë qendër, flet për lumturinë e fëmijës të saj kur hap këto dhurata.
“Në qendrën tonë janë rreth 70 fëmijë ku ‘Devolli’ d.m.th ka vite që kontribuon për gëzimet e fëmijëve tanë. Unë në rolin e prindit mundem të them që fëmija im është shumë i lumtur kur pranon një dhuratë, në anën tjetër ne si prind jemi edhe më të lumtur kur kuptojmë që kemi përreth njerëz si Devolli edhe shumë njerëz të tjerë që hapin zemrat e tyre që të bashkëndjejnë me këtë që ne e përjetojmë si prind, njëjtë edhe me fëmijët. Ndjehen shumë mirë në rastin konkret mundem me fol për fëmijën tim, ai ndjehet shumë mirë edhe e kupton se prej kujt ka ardhur dhurata, dhe është shumë mirënjohës”, shton Krasniqi.
Kompania “Devolli Group” sot ka dhuruar edhe 58 dhurata të tjera për fëmijët e Sos Fshatit.























