Meksikë, rikthehet lloji i peshkut që mendohej se ishte zhdukur
Banorët që jetonin në afërsi të vendit ku u lëshua peshku Tequila në rajonin Jalisco të Meksikës luajtën një rol kyç në projekt duke monitoruar cilësinë e ujit të lumenjve dhe liqeneve.
Rikthimi i një specie të peshkut që mendohej se ishte zhdukur në Meksikë në natyrën e egër shihet si një nismë shembullore për të mbrojtur ekosistemet dhe speciet e ujërave të ëmbla.
Sipas lajmit të BBC, peshku i quajtur Tequila, i cili është "humbur" dhe mendohet se është zhdukur që nga viti 2003, është rikthyer në lumenjtë e Meksikës jugperëndimore.
Si pjesë e një projekti të gjatë midis konservatorëve në Meksikë dhe Britani, 1.500 peshq u lëshuan fillimisht në lumenj ku popullsia tani po zgjerohet në sistemin lumor.
Në fillim të projektit në vitin 1998, shkencëtarët në Njësinë e Biologjisë Ujore të Universitetit të Michoacana në Meksikë morën pesë palë peshq nga kopshti zoologjik Chester në Angli.
Kolonia, e cila u krijua me ndihmën e këtyre peshqve në laboratorin e universiteteve, u zgjerua nga ekspertët gjatë 15 viteve të ardhshme.
Pasi popullsia e peshqve, të cilët pritet të përshtaten me kushtet natyrore duke lënë pellgje artificiale, arriti në 10.000, ata u rifutën në natyrë.
Banorët që jetonin në afërsi të vendit ku u lëshua peshku Tequila në rajonin Jalisco të Meksikës luajtën një rol kyç në projekt duke monitoruar cilësinë e ujit të lumenjve dhe liqeneve.
Profesori Omar Dominguez i Universitetit të Michoacana tha: "Ne nuk mund ta kishim bërë këtë pa banorët vendas, ata po bëjnë konservimin afatgjatë".
Shembull për ruajtjen e specieve tjera
Nga ana tjetër, duke deklaruar se rifutja e suksesshme e një specie e peshkut të zhdukur është një moment historik, Dominguez tha: “Ky projekt është një shembull i rëndësishëm për ruajtjen e ardhshme të shumë llojeve të peshkut në vend që janë të kërcënuara apo edhe të rrezikuara në natyrë, por rrallë na vijnë në vëmendje”.
Mostra e peshkut Tequila pritet të bëhet një model për speciet e tjera të ujërave të ëmbla, përfshirë achoque, e cila jeton vetëm në një liqen në veri të Meksikës dhe përballet me kërcënime shumë të ngjashme.
Sipas Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), habitatet e ujërave të ëmbla janë ndër më të kërcënuarit në tokë, me speciet që varen nga uji i ëmbël që zhduken më shpejt se kafshët e egra tokësore ose detare.























