Viti i Ri te viktimat e dhunës në familje në strehimore
Edhe gjatë vitit 2021, rastet e dhunës në familje, ku viktima janë gratë kanë qenë mjaft të shpeshta. Si pasojë e dhunës, një numër i viktimave braktisën shtëpitë e tyre dhe u vendosën në strehimore.
Pajtim Çuni/ Radio Kosova
Vetëm në “Shtëpinë e Sigurtë” në Gjakovë, këtë vit strehë gjetën 118 gra e fëmijë, viktima të dhunës në familje. Në këtë strehimore, disa prej viktimave do ta presin edhe festën e Vitit të Ri.
Tanusha dhe Hasimja, nuk janë motra e as nga e njëjta komunë. Këto gra që sa jetonin në shtëpitë e tyre nuk e njihnin njëra-tjetrën, sonte, festën e Vitit të Ri, do ta presin bashkë, me fëmijët e tyre në Shtëpinë e Sigurtë në Gjakovë, ku janë të strehuara edhe viktimat të tjera të dhunës në familje.
Hasimja, emri i së cilës ashtu si edhe zëri, janë ndryshuar për ruajtjen e identitetit, rrëfen për Radio Kosovën se pas dhunës që përjetonte nga burri, ajo vendosi të largohet nga shtëpia dhe të vendoset në strehimore, pasi, siç thotë zë-dridhur, “te t’babës, kanë kushte të rënda ekonomike”.
“Prej vitit të ri që shkoi, kam pasur probleme me burrë, vazhdimisht. Por hajt se kalon – hajt se ndoshta bëhet mirë. Edhe nëna ime thoshte hajt bre çika jem se bahet mirë, kalon. Si shqiptarët, mos me dalë “faqja e zezë” e shtyva me gjoks, deri kur e pat ditëlindjen nëna ime. I pata thanë burrit a bën të shkoj te familja se nëna e ka ditëlindjen, më tha jo. Edhe më ka rrah mua edhe çikën. Edhe, nuk durova ma e dola. Tash, bashkë më çikën jam këtu”, tha ajo.
Edhe Tanusha, nëna e tre fëmijëve, që pas dhunës fizike e psikike la shtëpinë e burrit, Vitin e Ri do ta presë në strehimore. Përveçse jashtë shtëpisë, ndërrimin e motmoteve ajo do ta presë edhe pa njërin fëmijë.
Burri më ka ushtruar dhunë fizike e psikike, e prej kësaj, më në fund është dashtë me i marrë fëmijët, dhe t’ia liroj shtëpinë dhe të vij të jetoj këtu, ku edhe do të pres festat e fundvitit. Vajza 12 vjeçe është te familja e burrit. Kjo është shumë e rëndë, se një nënë nëse nuk mund t’i ketë të tre fëmijët bashkë, është vdekje. Por, shpresoj se do të bëhet mirë edhe për ne”, tha ajo.
Njëjtë si protagonistet e kësaj kronike në Shtëpinë e Sigurtë, Vitin e Ri do
ta presin edhe gra e fëmijë të tjerë.
Gjatë vitit 2021, në Shtëpinë e Sigurtë strehë kanë gjetur 118 gra e fëmijë viktima të dhunës në familje, tregon Sakibe Doli, këshilluese psiko-sociale në strehimoren që funksionon që nga viti 1999.























