Testi PISA, rezultat i pasqyrimit arsimor në Kosovë
Për herë të tretë, Ministria e Arsimit ka vendosur që Kosova t’i nënshtrohet testit ndërkombëtar për nxënësit të njohur si PISA.
“Kosova do të merr pjesë në PISA 2022 dhe për këtë janë bërë të gjitha përgatitjet”, konfirmoi zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci për Albanian Post.
Por, thotë që pandemia COVID-19 ka ndikuar shumë tek nxënësit.
“Pa dyshim, pandemia ka ndikuar që tek nxënësit të ketë humbje të konsiderueshme mësimore dhe kjo vlen për pothuaj se të gjitha vendet e botës”.
Megjithatë konsideron se, “Pisa 2022 do të jetë një mundësi unike të shihet sa ka ndikuar pandemia në rezultatet e nxënësve në fushën e leximi, matematikës dhe shkencës”.
Njohësit e arsimit nuk presin përmirësim në testin PISA
Drejtori i Organizatës “EdGuard”, Rinor Qehaja, nuk vlerëson që do të ketë ndonjë përmirësim në testin PISA.
“Statistikisht është vështirë e besueshme që të ketë një performancë më të mirë në testim kur nuk ka ndonjë reformë të thellë në cilësi të mësimdhënies. Pra, do të jetë memorizimi në mësim nxënie, ajo që do të vazhdoj të penalizoj Kosovën në këtë testim dhe jo vetëm”, shprehet Qehaja për AP.
Ai konsideron që qëllimi i testit PISA, nuk duhet të jetë qëllim në vete.
“Synimi jonë duhet të jetë përmirësimi i cilësisë së arsimit si interes shtetëror për zhvillim socio ekonomik, dhe jo për rezultatet të testit vetëm. Nëse për hiq gjë tjetër rezultatet e testit PISA po rikthejnë vëmendjen për cilësinë e vërtet të arsimit në vend”.
Të domosdoshme pjesëmarrjen në testin PISA e sheh edhe Dibran Hoxha nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA).
Mirëpo, ngjashëm sikur Qehaja edhe Hoxha e sheh gjendjen e arsimit në Kosovë në gjendje të rëndë.
“Sa i përket gjendjes së arsimit parauniversitar në vendin tonë, gjendje të cilën e pasqyrojnë rezultatet e vitit 2018 të PISA-s, niveli i këtij sistemi arsimor në Kosovë është në gjendje të rëndë”, thekson Hoxha për AP.
Si shqetësim kryesor, sipas tij vazhdon të jetë përgatitja e dobët profesionale e pedagogjike nga mësimdhënësit e shkollave.
“Ne jemi tejet pesimist se testimet për 2022 do të prodhojnë ndonjë rezultat më progresiv në këtë drejtim, jo për shkak të rrethanave të pandemisë Covid-19 (edhe pse nuk i përjashtojmë tërësisht), por për shkak se niveli i dobët i mësimdhënësve, përgatitja e dobët profesionale e pedagogjike e tyre”.
Për arsyeje sipas Hoxhës se, “nuk ka mundur të ndryshojë për kaq pak vite, ky mbetet shqetësimi ynë permanent, për aq sa situata pasqyrohet përmes këtyre rezultateve”.
Ai sheh edhe një rrugëdalje për këtë problem.
“Rrugëdalja nga kjo gjendje alarmante e arsimit parauniversitar do ishte “Veting” i përgjithshëm, apo vlerësim, testim edhe për mësimdhënësit”.
Ai madje bën thirrje tek Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) që të ballafaqohen me realitetin.























