Bangladesh, 9 zebra ngordhin në mënyrë misterioze në parkun safari
BKT
   Kuriozitete

Bangladesh, 9 zebra ngordhin në mënyrë misterioze në parkun safari

Ekspertët bëjnë thirrje për përmirësimin e kapaciteteve menaxhuese ndërsa ftojnë ministrinë për të hetuar neglizhencën e mundshme.

Nëntë zebra kanë ngordhur gjatë 22 ditëve të fundit në parkun safari në Bangladesh, duke nxitur qeverinë të hetojë nëse kjo ka të bëjë me neglizhencën, raporton Anadolu Agency.

Kafshët ngordhën midis 2 dhe 24 janarit ndërsa numri i zebrave në parkun "Bangabandhu Sheikh Mujib Safari" tani ka rënë në 22. Shumica e zebrave kanë lindur në park, thanë zyrtarët nga Ministria e Mjedisit të martën.

I inauguruar në vitin 2013, parku shtrihet në 1.542 hektarë të pyllit Sal në qytetin qendror Gazipur dhe është parku më i madh i safarit në Azi dhe një nga më të mëdhenjtë në botë.

Zebrat u sëmurën pothuajse brenda periudhës se njëjtë të shkurtër kohore ndërsa simptomat ishin të zakonshme mes tyre, thanë zyrtarë të ministrisë.

Ministri për Mjedisin, Pyjet dhe Ndryshimet Klimatike Md. Shahab Uddin tha se ministria do të formojë një komitet për të hetuar vdekjen e 9 zebrave, përfshirë edhe hetimet "nëse ka pasur ndonjë neglizhencë nga ana e dikujt".

Pjesët e trupit të zebrave tashmë janë dërguar në laboratorë të ndryshëm për të përcaktuar shkakun e vdekjes, citohet të ketë thënë Uddin në një deklaratë për media.

“Duke analizuar rezultatet paraprake, ekspertët sot përmendin lëndimet, infeksionet bakteriale, faktorët gjenetikë dhe në një rast gripin si shkakun e vdekjes. Mostrat mund të dërgohen jashtë vendit nëse kërkohet”, tha ai.

Ndihmësi i Konservatorit të Pyjeve, Tabibur Rahman tha për mediat se vdekja e kaq shumë kafshëve në një periudhë kaq të shkurtër kohore është e paprecedentë. Zebrat me sa duket vuanin nga shqetësime në frymëmarrje dhe stomak të fryrë përpara se të ngordhnin.

Duke folur për AA, Ishtiaq Uddin Ahmad, ish-shefi i Konservatorit të Pyjeve tha se e kishte kuptuar se infeksioni bakterial ishte shkaku kryesor i vdekjeve.

“Infeksioni mund të ndodhë, por duhet përmirësuar kapaciteti i teknologjisë së zbulimit dhe izolimit të kafshëve të infektuara. Parqet Safari në Bangladesh nuk janë aq konvencionale siç i shohim në arenën globale. Kafshët këtu mbeten të robëruara në parqet safari për shkak të kapacitetit menaxhues”.

Monirul H Khan, ekspert dhe profesor i zoologjisë në Universitetin Jahangirnagar tha se infeksionet në kopshtet zoologjike dhe parqet safari përhapen shpejt në krahasim me kafshët e egra në një mjedis pyjor.

Ai tha se ishte i pakënaqur për gjendjen e kopshteve zoologjike dhe parqeve në Bangladesh.

Kafshë të tjera, përfshirë tigrat, luanët, gjirafat, kangurët dhe disa zogj të rrallë kanë ngordhur në parkun safari që nga inaugurimi i tij, sipas raporteve të mediave.