Ndryshimet klimatike do të ndikojnë në kultivimin e kafesë
   Kuriozitete

Ndryshimet klimatike do të ndikojnë në kultivimin e kafesë

Studiuesit thonë se rritja e temperaturave dhe ndryshimi i reshjeve do të ndikojë në kultivimin e kafesë, shqemit dhe avokados gjatë 30 viteve të ardhshme.

Një studim i ri ka zbuluar se pjesët e botës të përshtatshme për të kultivuar kafe, shqeme dhe avokado do të ndryshojnë ndjeshëm për shkak të ndryshimeve klimatike.

Studiuesit thonë se rritja e temperaturave dhe ndryshimi i reshjeve do të ndikojë në kultivimin e kafesë, shqemit dhe avokados gjatë 30 viteve të ardhshme, njoftoi BBC.

Në studim thuhet se rajonet e rëndësishme ku rritet kafeja si në Brazil, Indonezi, Vietnam dhe Kolumbi do të ulen me rreth 50 për qind deri në vitin 2050.

Në skenarin e temperaturës më të ulët, thuhet se do të ketë një ulje prej 76 për qind të kultivimit në rajonet më të përshtatshme të Brazilit për kafe ndërsa kjo normë mund të arrijë në 63 për qind në Kolumbi. Në studim thuhet se disa rajone në Argjentinë, Afrikën e Jugut, Kinë dhe në Zelandën e Re do të bëhen më të përshtatshme për kultivimin e kafesë.

Në studim theksohet se sipërfaqet e përshtatshme për kultivimin e shqemit mund të rriten me 17 për qind për shkak të ndryshimeve klimatike.

Zonat e përshtatshme për rritjen e avokados do të rriten me më shumë se 80 për qind në Meksikë, e cila është prodhuesi më i madh në botë i kultivimit të avokados ndërsa në Peru e cila është një tjetër kultivues i rëndësishëm, rreth gjysma e zonave të përshtatshme mund të humben sipas të njëjtit model klimatik.