Pritet finalizimi i strategjisë së hartuar për trajtimin e qenve endacakë
BKT
Kosovë

Pritet finalizimi i strategjisë së hartuar për trajtimin e qenve endacakë

Mungesa e trajtimit si duhet i qenve endacakë po rrezikon në disa raste edhe jetën e qytetarëve. Drejtues të institucioneve përgjegjëse për trajtimin dhe strehimin e qenve endacakë kanë bërë të ditur se është hartuar strategjia për trajtimin e tyre dhe brenda këtij viti pritet të finalizohet. Ndërsa, udhëheqës të shoqatave për mbrojtjen e kafshëve po vlerësojnë se deri më tani institucionet përgjegjëse nuk kanë bërë sa duhet në këtë drejtim.

Ardiana Hajzeri/Radio Kosova

Qytetarët e Kosovës tash e sa vite po vazhdojnë të përballen me shqetësime dhe sulme nga qentë endacakë. Ushtruesi i Detyrës së kryeshefit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Flamur Kadriu, në një përgjigje për Radio Kosovën tha se këto ditë ky institucion bashkë me institucionet e tjera përgjegjëse kanë hartuar një strategji përmes së cilës pritet të rregullohet çështja e trajtimit dhe strehimit të qenve endacakë dhe atyre me pronarë. 

“ Ditë me parë kemi pasur takim me Ministrinë e Bujqësisë, Pushteti Lokal, Financave  dhe me të tjerë akterë që janë të rëndësishëm për zgjidhjen e kësaj problematike. Në këtë takim u diskutua hartimi i strategjisë për trajtimin dhe strehimin e qenve endacakë dhe qenve me pronarë", tha ai.

Po ashtu, Kadriu tha se gjatë këtij viti do ta kemi gati strategjinë, ndërsa në të njëjtën kohë do të vazhdojmë ta trajtojmë gjendjen në terren me qëllim të zbutjes së situatës.

“ Brenda këtij viti pritet të kemi strategjinë jashtëzakonisht të mirë. Por kjo nuk do të thotë që ne nuk do të merremi me situatën e cila është në terren. Do të krijojmë infrastrukturë dhe do të marrim veprime, pa marrë parasysh pritjet e strategjisë do të vazhdojmë me procedurat për lehtësimin e situatës", theksoi ai për Radio Kosovën.

E, drejtoresha e Fondacionit për Mbrojtjen e Kafshëve, Elza Ramadani, i tha Radio Kosovës se përgjegjës për përmirësimin e gjendjes janë komunat. Ajo shtoi se deri më tani nuk është bërë sa duhet për strehimin dhe trajtimin e qenve endacakë të cilët po rrezikojnë jetën e qytetarëve.

“ Institucionet relevante, qoftë ato të nivelit komunal dhe atij qendror, nuk janë duke e marrë seriozisht ose nuk e kanë kuptuar ende rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për sa i përket kësaj qasjeje rreth problemit të qenve endacakë. Kështu që niveli qendror i ka kryer në një farë mënyre obligimet e veta karshi regjistrimit. Ka ende punë për përmirësime legjislative që duhet të bëjnë ministritë përkatëse. Por,  gjithsesi komunat duhet të jenë bartëse për masat e propozuara", deklaroi ajo.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka kërkuar bashkëpunim ndërmjet komunave dhe nivelit qendror për përmirësimin e gjendjes me qentë endacakë. Ai ka njoftuar se ka nënshkruar  kontratën që siguron vazhdimin e trajtimit të qenve, ku nga pesë pika ushqyese sa janë aktualisht, së shpejti do bëhen njëzet sosh. 


MË SHUME NGA Kosovë