220 punëtorë denoncojnë punëdhënësin e tyre për mosdeklarim
BKT
Kosovë

220 punëtorë denoncojnë punëdhënësin e tyre për mosdeklarim

Në dhjetor 2021 dhe janar 2022, 220 punëtorë e kanë denoncuar punëdhënësin e tyre në ATK për mos deklarim. Zëdhënësja e ATK-së, Valentina Bytyqi Sefa, tha se kanë dizajnuar një aplikacion përmes të cilit punëtorët mund të shohin nëse janë të deklaruar nga punëdhënësi i tyre. Nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat, është bërë më dije se punëtorët që lajmërojnë se nuk janë të regjistruar, zakonisht kanë humbur vendin e punës.

Arbenita Marmullaku/Radio Kosova

Nga data 28 dhjetor 2021, Administrata Tatimore e Kosovës, ka dizajnuar aplikacionin i cili do t’u ndihmojë punëtorëve për verifikim nëse janë të deklaruar nga punëdhënësi i tyre. Aplikacioni ka dhënë rezultat të pritshëm sipas zëdhënëses së ATK-së, Valentina Bytyçi Sefa, e cila tha se kanë pasur një varg problemesh të cilat pastaj i kanë identifikuar me aktivitete në terren, ku bizneset mbanin punëtorë të pa deklaruar. Ajo tha se tashmë punëtorët kanë shprehur interesim të denoncojnë punëdhënësin e tyre për mos deklarim.

“Nga të dhënat e fundit  220 punëtorë e kanë denoncuar punëdhënësin e tyre për mos regjistrim.  Të gjitha rastet e denoncuara do të adresohen në operativ për trajtim, nga të cilat aktivitete do të mblidhen faktet dhe do të ndëshkohen ato biznese për mos regjistrim të punëtorëve", deklaroi ajo.

Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, ka thënë se të gjithë ata punëtorë që më herët kanë deklaruar se nuk janë të regjistruar, e kanë humbur vendin e tyre të punës.

“Të gjithë ata punëtorë që lajmërojnë pronarin e kompanisë që nuk i është bërë pagesa e trustit janë ata punëtorë që e kanë humbur vendin e punës.  Nëse një punëtor shkon në ATK dhe kërkon të paguhet trusti, atëherë inspektori shkon në atë kompani dhe kërkon t’i paguhet trusti,  pra, në këtë mënyrë automatikisht punëtori largohet nga puna", tha Azemi për Radio Kosovën.

Azemi tha se pjesa dërmuese e punëtorëve janë edukuar nga punëdhënësi që t’i ikin inspektorëve kur ata shfaqen në vendin e tyre të punës. Madje, ai tha se ka pasur raste kur ata duke ikur kanë thyer gjymtyrët.  Azemi tha se vetëm 28 inspektorë nuk mund të mbulojnë kontrollimin e 60 mijë kompanive në vend.

“Ende nuk e kemi parë dorën e  fortë të shteti që nëse vërehet një punëtor pa kontratë pune ta marrë dënimin e merituar. Vetë fakti ku shteti e kalon me 28 punëtorë inspektorë aktivë t’i mbulojë 60 mijë kompani, kjo nënkupton se për këtë çështje nuk është duke u interesuar askush. Duhet të zbatohet ligji i punës në raport punëdhënës dhe punëmarrës", theksoi ai.

Sipas BSPK-së gjatë sezonit të verës, rreth 60% e punëtorëve të sektorit privat ishin pa kontrata pune, ndërsa në sezonin e dimrit pa kontrata ishin mbi 40% të punëtorëve. Kjo rritje është shënuar për shkak të punëtorëve të ndërtimtarisë.


MË SHUME NGA Kosovë