Myku mbyll shkollën në Smrekonicë
BKT
Kosovë

Myku mbyll shkollën në Smrekonicë

Shkolla në Smrekonicë të Vushtrrisë është e mbyllur nga dita e hënë. Shkak i saj nuk është pandemia por myku që kishte marrë disa klasë. Ata që kishin pastruar klasën, kishin përdorur një preparat, e kundërmimi u kishte shkaktuar dhimbje e marramendje nxënësve. Prindërit thonë se derisa nuk kalon ky kundërmim, nuk i dërgojnë fëmijët në shkollë.

“Shkolla 'Enver Hadri' në Smrekonicë do të jetë e mbyllur deri të hënën, kjo pasi preparatet e përdorura për largimin e mykut në këtë shkollë kanë shkaktuar kundërmim i cili është i padurueshëm nga stafi dhe nxënësit. E muret e kësaj shkolle tani kanë marrë pamje tjetër. Por, prindërit e nxënësve thonë se largimi i mykut duhet të ishte bërë gjatë pushimeve e jo tani.

“Mendoj që nuk ka qenë kohë adekuate, përpos kësaj nuk ka pas informim nga drejtoria e shkollës, apo edhe komunës që prindërit të njoftohen që mos të vijnë fëmija fare në shkollë në mëngjes e jo të vijnë të hyjnë mrena e pas gjysmë ore të dalin, e që sipas informatave që kemi kanë dalë edhe me alivanosje”, ka theksuar Mustafë Uka, banor i këtij fshati.

Kryetari i fshatit, Fidan Bejta, thotë se ka pranuar ankesa nga shumë prindër, fëmijët e të cilëve kanë pasur telashe me shëndet pas qëndrimit për disa minuta në klasë. “Shumë aromë e rëndë, kanë ardhur fëmija në mëngjes, aroma u ka shkaktuar të vjellura, edhe disave prej frikësimit, e disave prej mundimeve u ka shkaktuar edhe ndonjë alivanosje”, ka theksuar Fidan Bejta.

Drejtoresha e Arsimit në komunën e Vushtrrisë, Miradije Morina, thotë se nuk kanë pranuar asnjë ankesë për përkeqësim të shëndetit të nxënësve. “Fëmijët kanë shkuar në shtëpi dhe shkolla tani ka kaluar në skenarin C. Unë sa kam marr informata prej drejtorit të shkollës atë ditë nuk është alivanosur asnjë fëmijë, nuk ka pasur të vjellura prej asnjë fëmije, kështu që nuk ka pasur as reagime”, ka theksuar Miradije Morina.

Ndërsa drejtori i shkollës “Enver Hadri”, Nehat Abazi, sqaron se nga shtatori bashkë me prindërit kanë kërkuar nga qeverisja lokale të bëhet diçka për mykun e shkollës.

“Një nxënëse në klasën e 9 ka filluar të ankohet që po ka probleme shëndetësore, e në momentin që është lajmruar tek ne ajo ne automatikisht nuk e kemi zgjat diskutimin me mësimdhënës dhe i kemi liruar nxënësit dhe i kemi vendosur në oborr”, ka thënë Abazi.

Në këtë shkollë vijojnë mësimin rreth 300 nxënës./RTKlive/


MË SHUME NGA Kosovë