Kryeministri Kurti: Duhet të mbyllim hendekun ekzistues gjinor
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në Ditën ndërkombëtare të vajzave dhe grave në shkencë tha se për Qeverinë e Republikës së Kosovës, zhvillimi i gjithmbarshëm nuk mund të paramendohet pa arsim cilësor, pa zhvillim të kapitalit njerëzor, e qasje të barabartë në mundësitë për zhvillim.
Në shkollën fillore të mesme të ulët “Naim Frashëri” ku edhe vetë ishte nxënës për tetë vjet, Kryeministri vizitoi Klubin e Kodimit të kësaj shkolle. Nga vajzat pjesëmarrëse në klubet e kodimit u prezantuan projektet inovative të zhvilluara nga nxënëset e shtatë shkollave të mesme të ulëta nga e gjithë Kosova.
Kryeministri theksoi se përmes punës së përbashkët duhet të mbyllim hendekun ekzistues gjinor, të sigurohemi që pjesëmarrja e grave në fushën e shkencës, teknologjisë e inovacionit, të mos jetë përjashtim, por normë.
Së bashku, do të punojmë për të avancuar vajzat dhe gratë në shkencë, teknologji dhe inovacion, për arritjen e barazisë gjinore, tha kryeministri.
Ai bëri të ditur se nëpërmjet “Sfidës së Shkencës”, do të synohet qysh herët tek nxënësit e nivelit parauniversitar të frymëzohet me ndërveprim me konceptet e shkencës, duke nxitur garë ndërmjet ekipeve e shkollave.
Me Rrjetin e Grave në STEM, do të ofrojmë ombrellë afatgjatë të organizimit dhe forcimit të grave dhe vajzave në këto fusha shkencore, tha Kurti.
E përtej shënimit simbolik të 11 shkurtit, nga viti i ardhshëm do të organizojmë konferencën vjetore për gratë në shkencë, për të promovuar arritjet shkencore të grave dhe vajzave, shtoi kryeministri.
Ai u bëri thirrje vajzave që do të nisin studimet sivjet, që t’i konsiderojnë studimet në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës - STEM.
Për të ndihmuar avancimin e vajzave në shkencë, këtë vit akademik, Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndarë 1365 bursa, në vlerë 1.000 euro për vajzat në STEM.
Në këtë vizitë, të pranishme ishin edhe Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci, Zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit znj.Edona Maloku Bërdyna, Zëvendës Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, z.Jacob Webber, kryetarja e Këshillit Kombëtar të Shkencës znj.Myzafere Limani, si dhe fitueset e çmimeve për Shkencëtar të vitit dhe Shkencëtar të ri të vitit, Dr.Ibadete Bytyçi dhe Dr.Fjolla Kaçaniku.























