"Xhevdet Doda" me klub të ndërmjetësimit kundër bullizmit
Fenomeni i bullizmit në shoqëri është bërë shqetësues, megjithatë një pjesë e shkollave nëpër Kosovë kanë ndërtuar mekanizma të trajtimit të këtij fenomeni nëpërmjet klubeve të ndërmjetësimit që udhëhiqen nga vet nxënësit. Kjo formë po praktikohet në gjimnazin "Xhevdet Doda" të Prishtinës.
Bullizmi njihet si fenomen i dhunës e cila është e përsëritshme. Studimet tregojnë se kjo formë e dhunës sjell probleme të ndryshme te nxënësit. Megjithatë ekzistojnë edhe mekanizmat që mund ta identifikojnë dhe ta trajtojnë këtë fenomen, për këtë çështje janë angazhuar dy nxënëset e gjimnazit "Xhevdet Doda", Rumejsa Aliu dhe Eliza Gjoshi.
“Mendoj se klubi i ndërmjetësimit është një klub që duhet të jetë në çdo shkollë, sepse kanë mundësi të trajnohen nxënësit. Nëse një problem mund të zgjidhet përmes bashkëmoshatarëve do të jetë më e lehtë dhe më mirë dhe nuk do të ketë nevojë të përfshihet drejtoria, mësimdhënësit e as prindërit”, ka theksuar Rumejsa Aliu.
Ndërkaq, Eliza Gjoshi ka thënë se ata që kanë probleme të këtij lloj vijnë në zyrën e ndërmjetësimit, e ku personi që e merr për detyrë për ta trajtuar rastin prezantohet, derisa prezantohen edhe palët që janë në konflikt. Aty tregohen rregullat që duhet ndjekur gjatë ndërmjetësimit.
Mevlude Murtezi nga organizata CIPOF tha se klubet e tilla janë të një rëndësie të madhe për menaxhimin e problemeve në shkolla.
“Këto klube të ndërmjetme janë shumë të rëndësishme, për shkak se aktivitetet e tyre janë shumë paqësore”, ka thënë ajo.
Ndërkaq, psikologia Eminie Doda thotë se personat bullizues janë kryesisht ata që nuk kanë vetëbesim. “Në një skenë ku kemi rast të bullizmit gjithmonë kemi një disbalanc të fuqisë ose të autoritetit”, është shprehur Doda.
Bullizmi edhe pse njihet si fenomen i zhvilluar më shumë tek fëmijët, janë rrjetet sociale ato që kanë ndikuar se kjo formë e bullizmit të jetë më gjithëpërshfirëse./RTK/























