Blakaj:Rezoluta për Ukrainën tregon kahjen perëndimore të Kosovës
Kuvendi i Kosovës sot ka votuar rezolutën në mbështetje të Ukrainës dhe popullit të saj në rezistencë ndaj agresionit rus. Rezoluta është votuar me 94 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Lista Serbe e ka lëshuar sallën para votimit.
Po ashtu, shprehet kërkesa e Kuvendit ndaj qeverisë për gatishmërinë për strehimin e 5 mijë refugjatëve nga Ukraina. Në tekstin e rezolutës po ashtu thuhet se Serbia s’është distancuar nga krimet dhe gjenocidi në Kosovë dhe në vend se Serbia të ishte e dënuara, sot Kosova dhe lufta e saj po gjykohen padrejtësisht, duke aluduar në eprorët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Bekim Blakaj, nga Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH), vlerësoi se rezoluta e miratuar sot në Kuvend në mbështetje të Ukrainës është për tu mbështetur.
“Ka qenë e domosdoshme që Kosova të rreshtohet në anën e globit. Kosova para 23 viteve ka qenë në një situatë të tillë”, tha ai sot në intervistë për RTK.
Ndryshe Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, KOMRA Rrjeti i Pajtimit dhe Mediacentar Sarajevo organizuan sot diskutim mbi rolin dhe praninë e mediave si provë dhe të gazetarëve si dëshmitarë para Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ).
Afet BELA























