Klosi: Krimet nuk ishin filozofi e as politikë e UÇK-së
“Ne nuk themi që në luftën e Kosovës nuk ka asnjë ngjarje kriminale, ka ngjarje kriminale por nuk janë ngjarje që kanë qenë filozofi e UÇK-së, ose ka qenë politikë e UÇK-së”, ka thënë Fatos Klosi, ish shef i SHISH-it, për emisionin Udhëve në RTK
Alban Selimi, RTK
Ish shefi i SHISH-it, Fatos Klosi, thekson për emisionin “Udhëve” se pretendimet për shtëpinë e verdhë kanë qenë krejtësisht të pa vërteta.
“Kur kanë ndodhur këto gjëra, bashkëpunimi me NATO dhe me faktorë tjerë ishte i avancuar, si rrjedhim ishte e qartë se kur do të përfundonte lufta dhe nuk kishte nevojë për gjëra të tilla. Për mua kjo është faktori kryesor, nuk kishte nevojë për të tilla gjëra”, thotë Klosi. Sipas tij UÇK kishte hequr dilemat sa i përket pastërtisë së luftës që bënte.
Udhëheqësit e UÇK-së u pajtuan me amerikanët për parimet e luftës
“Ju e keni parasysh si u paraqit në media UÇK-ja në fillim si grup terrorist, pastaj përfaqësues të DASH-it u takuan me ta gjysmë publikisht, ndërkaq faktorë tjerë që nuk janë gjithaq disponibël në media, (amerikanë) ishin takuar shumë më parë dhe kishin rënë dakord shumë më parë për parimet e luftës, për mundësinë e një lufte që do të mbështetej si luftë çlirimtare”, është shprehur Klosi, për emisionin hulumtues “Udhëve “ në RTK.
Ai tregon se nuk ka pasur një marrëveshje të nënshkruar siç bëhet nëpër ceremoni. “Por ka pasur me dhjetëra takime qoftë me udhëheqësit më të lartë të UÇK-së, qoftë edhe me udhëheqës të zonave të caktuara që kanë ardhur në Tiranë, që iu është sqaruar se nëse do të zbatoheshin ca parime themelore që lufta të mos ishte me faktorë kriminalë, që të mos bëheshin atentate, bomba nëpër Jugosllavi, por vetëm brenda territorit të Kosovës, që ishte ai territor që pretendohej se ishte i pushtuar, në mënyrë që të mos përdoreshin para droge, në mënyrë që të mos përfshiheshin element ekstrem islamistë në këtë luftë, gjitha këto janë diskutuar dhe ka pasur një mirëkuptim midis palëve”, ka thënë Klosi.
Ai ka shtuar se UÇK nuk kishte në politikën e saj ngjarjet kriminale, pavarësisht rasteve të izoluara që kanë mundur të ndodhin.
“Lufta krijon situata nga më të çuditshmet, armiqësi personale familjare të vjetra kanë ndodhur. Ne nuk themi që në luftën e Kosovës nuk ka asnjë ngjarje kriminale, ka ngjarje kriminale por nuk janë ngjarje që kanë qenë filozofi e UÇK-së, ose kanë qenë politikë e UÇK-së”, ka shtuar Klosi.
Për emisionin hulumtues Udhëve në RTK, ai shtoi se nga pikëpamja praktike është e pamundur edhe akoma sot që në Shqipëri të bëhen transplante organesh.























