Përkujtohen profesorët e historisë në UP
Me rastin e Ditës së Mësuesit, përmes një akademie përkujtimore janë përkujtuar profesorë të departamentit të Historisë në Universitetin e Prishtinës.
Në këtë akademi përkujtimore kushtuar Skënder Rizaj, Muhamet Terrnava, Masar Rizvanolli, Bedrush Shehu, Drita Gunga Bakia, Shukri Rrahimi, Muharrem Sopi, Nait Ipqiu, të cilët ndërruan jetë gjatë pandemisë, një fjalë rasti e mbajti Mentor Hasani, shef i departamentit të historisë në UP, i cili tha se profesorët janë ata që kanë ndikuar në edukimin e brezave tanë.
“Të gjithë ata që kanë edukuar apo që ndikuar në edukimin e brezave të tërë siç janë profesorët e nderuar, i kanë dhënë kuptim e formësim jetëve tona. Profesorët tanë jo vetëm që ishin themelues të këtij departamenti, por për gjatë dekadave të punës tyre si mësimdhënës universitarë, ata dhanë gjithçka nga vetja e tyre, duke u shërbyer kështu si model për breza të tërë”, tha ai.
Hapjen e akademisë e bëri profesori Muhamet Mala, ku paraqiti një kumtesë për profesorin Skender Rizaj, e po ashtu përkujtoi gjithë profesorët për 7 Mars, ditën e mësuesit. Ndërsa për Rizajn tha që ai ka lënë vepra që janë bërë udhërrëfyese për të gjithë.
“Profesor, Skender Rizaj, i cili me punën, aktivitetin dhe përkushtimin e tij në hulumtimin e historisë së popullit shqiptar i kaloi kufijtë kombëtarë. Ai arriti që shkencën e histografisë ta ngrit në nivelin më të lartë dhe në këtë kontekst, në një farë mënyre të na bëjë edhe neve që të ndihemi krenar kur sot e përkujtomë. Veprat e tij u bënë udhërrëfyesit e të gjithë neve studentëve që erdhën dhe i shkuan pas, dhe për këtë i jemi përjetësisht mirënjohës”, tha Mala.
Profesori Selim Bezeraj paraqiti kumtesë për profesor Drita Bakija-Gunga, e cila ishte gruaja e parë nga Kosova që mori titullin Dr. Shkence e Historisë.
“Ka punuar dhe hulumtuar në një varg institucionesh shkencore në Kosovë dhe jashtë saj, ku nga fondet e shumta ka mbledhur materialin me vlerë, i cili material arkivor i ka shërbyer si mbështetje në argumente për analiza shkencore të çështjeve të ndryshme historike. Punimi i saj i parë monografik i prof.Dr. Drita Bakija-Gunga është tema e saj e magjistraturës, “Lëvizja e Grave të Kosovës në mes të dy luftërave botërore. Punim ky i cili ka rëndësi të veçantë për faktin se për herë të parë trajtohet një çështje e paprekur në histografinë tonë e duke pasur për mbështetje burime arkivore të dorës së parë”, tha ai.
Fetah Bakija, vëllai i profesoreshes Drita Bakija-Gunga, thotë që gjurmët e saj janë gjurmë prej pionieri, sepse e ka parë rëndësinë e femrave në ruajtjen nga zhbërja e kombit tonë.
“Është një prej femrave të para që është angazhuar për emancipimin e femrës...Gjurmët e saj janë vërtetë gjurmë prej pionieri sepse e ka parë rëndësinë e femrës në ruajtjen nga zhbërja e kombit tonë. Ka pas një fjalë që e ka thënë, “Femra e ka pshtu kombin shqiptar nga zhbërja, sepse ajo edukatore e gjeneratave, e arsimimi saj na qon në sferat evropiane të emancipimit dhe kulturës”, tha ai.























