Pandemia ka rritur numrin e familjeve me asistencë sociale
Valjete Shala
Mbi 25 mijë familje në Kosovë, me mbi 102 mijë anëtarë, janë përfituese të asistencës sociale. Mitrovica ka numrin më të madh të familjeve përfituese të skemës sociale, kurse nëse llogaritet me kokë banori, atëherë në Obiliq çdo i gjashti banor është përfitues nga kjo skemë. Shkaku i pandemisë, ky numër është rritur.
Në gjendje të rënde, jeton familja 9-anëtarëshe, Bekteshi, nga fshati Gllogovicë të Prishtinës. Kryefamiljari Smajl Bekteshi numëron nevojat që ka familja e tij, e të cilat nuk mund t’i plotësojë.
“Me 200 euro çka të bëjë, a me i shkollu fëmijët a barna a për shëndetin e djalit që është i sëmur. S’edi kah me ja majtë”, tha Bekteshi.
Numri i familjeve që janë të varura nga ndihmat sociale, ka njëzet vjet që mbetet i lartë. Ngjashëm me situatën e familjes Bekteshi, janë edhe mbi 25 mijë e 811 të tjera në Kosovë, me mbi 100 mijë anëtarë, të cilët janë përfituese të asistencës sociale.
Në Departamentin e Politikave Sociale dhe Familjare në Ministrinë e Financave, deklarojnë se një shkaktar më shumë për rritjen e numrit të familjeve që kanë nevojë për asistencë sociale është edhe pandemia.
“Ne jemi në proces të ndryshimeve ligjore dhe këtë vit është planifikuar reforma e skemës së ndihmës sociale. Ligji i ri për ndihmën sociale, i cili është pjesë e planit legjislativ. Presim që gjatë vitit të realizohet në mënyrë që edhe familje të tjera, të mund të aplikojnë për asistence sociale", tha Mentor Morina, udhëheqës i Departamentit të Politikave Sociale dhe Familjare, në Ministrinë e Financave.
Komunat me numrin më të lartë të familjeve që përfitojnë asistencë sociale, sipas të dhënave zyrtare, janë ato të Mitrovicës, Obiliqit e Lipjanit. Shuma e asistencës sociale është nga 60 deri në 180 euro.























