Sveçla-ICITAP: Kosova si shembull referimi për policinë dhe forenzikën
BKT
Kosovë

Sveçla-ICITAP: Kosova si shembull referimi për policinë dhe forenzikën

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, gjatë vizitës në SHBA është takuar me Gregory Ducot, drejtor i Programit të Asistencës së Trajnimit të Hetimeve Penale (ICITAP) dhe Mark Mogle, drejtor për forenzikë.

Në takim Ministri Sveçla pati rastin të shprehë mirënjohjen për mbështetjen e deritanishme nga shteti Amerikan përmes programit ICITAP në Kosovë, i cili ka ofruar mbështetje në kapacitete njerëzore, teknike dhe teknologjike për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe agjencitë e saj.

Ducot dhe Mogle kanë theksuar që Kosova tashmë është një shembull referimi për suksesin e arritur në fushën e policisë dhe forenzikës, të cilat janë model për vendet e rajonit dhe më gjerë.

Pavarësisht të arriturave të deritanishme, ministri Sveçla ka potencuar nevojën që agjencitë e Ministrisë së Punëve të Brendshme sikurse Policia, Inspektorati Policor i Kosovës, Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, Agjencia e Forenzikës dhe Akademia e Kosovës për Siguri Publike, të mbështeten edhe më tutje për të arritur standardet specifike në fushën e parandalimit të krimit, menaxhimit të emergjencave dhe rritjes së sigurisë për qytetarët e vendit.

Në anën tjetër, ICITAP u zotua që të vazhdojë bashkëpunimin profesional duke mbështetur institucionet tona në adresimin e nevojave në fushën e sigurisë, luftimit të krimit dhe korrupsionit si dhe sundimin e ligjit, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Brendshme./S.Kelmendi/RTKlive


MË SHUME NGA Kosovë