Ngritja e çmimeve, hotelierët dhe gastronomët kërkojnë uljen e TVSH-së
BKT
Kosovë

Ngritja e çmimeve, hotelierët dhe gastronomët kërkojnë uljen e TVSH-së

Trina Zuka, RTK

Pas rritjes së çmimeve të produkteve esenciale dhe të naftës, hotelierët dhe gastronomët po kërkojnë uljen e TVSH-së, ngjashëm siç kanë filluar të veprojnë disa vende të rajonit. Ekspertët e ekonomisë po konsiderojnë se duhet të bëhet rishqyrtimi i politikave fiskale.

Me rritjen e çmimeve në shportën e konsumatorit dhe derivateve të naftës, vendet e rajonit kanë filluar të miratojnë masa anti-krizë, duke ulur akcizën për karburante dhe uljen e TVSH-së për ushqimet bazë në 0 për qind.

Ngjashëm veproi Maqedonia e Veriut ditë më parë.

Por, një kërkesë të tillë e kanë edhe nga Kosova, hotelierët dhe gastronomët.

“Së paku në këtë kohë do me thënë ne kemi kërkuar që TVSH-ja, kemi kërkuar qysh herët që TVSH-ja nuk ka nevojë një herë për një herë deri të shpallet e përfunduar pandemia e jo menjëherë me 31 të vitit të kaluar e ka kthyer në gjendje 15 për qind. E dyta për shembull në këtë kohë krize duhet shteti bre me mendua pak ma shumë, heke akcizën ose janë forma të ndryshme të cilat shteti mund të ndihmojë”, tha Hysen Sogojeva, kryetar i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit

 “Kthimi i TVSH-së nga 8 në 18 për qind në këtë kohë të jashtëzakonshme të krizës ekonomike natyrisht që e përshkallëzon edhe më tepër dhe e thellon më tepër këtë gjendje të vështirë të bizneseve të gastronomisë për ta ruajtur stabilitetin e çmimeve”, tha Arian Vranica, nga Shoqata e Gastronomëve.

Rishqyrtim të politikave fiskale duhet të merren nga qeveria e Kosovës, thotë profesori i ekonomisë, Muhamet Sadiku.

“Duke e pasur parasysh nivelin e ultë të të ardhurave të familjeve, nivelin aktual të papunësisë dhe varfërisë Kosova ka nevojë që potencialisht ta rishqyrtoj skemën fiskale e sidomos skemën e tatimit mbi vlerën e shtuar, duke vazhduar që këtë tatim ta liroi nga disa produkte te cilat janë esenciale për jetën e njerëzve”, tha Sadiku.

Ditë më parë, pas shtrenjtimit të çmimeve në produkte të ndryshme, qeveria ndau 50 milion euro për kategorinë e subvencioneve në bujqësi.

 


MË SHUME NGA Kosovë