Sallahu: Unifikimi procedural juridik rritë sovranitetin shtetëror
BKT
Kosovë

Sallahu: Unifikimi procedural juridik rritë sovranitetin shtetëror

Zëvendësministri i Drejtësisë së Kosovës, Blerim Sallahu mori pjesë në tryezën e përbashkët konsultative “Luftimi i Krimeve të Rënda në Ballkanin Perëndimor” me përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë së Shqipërisë në Tiranë.

Në deklaratën për media të Ministrisë së Drejtësisë, thuhet se qëllimi i kësaj tryeze ishte ndryshimi i marrëveshjes ekzistuese për bashkëpunimin juridik ndërkombëtar në çështjet penale në mes të dyja vendeve.

Zv/Ministri Sallahu dhe homologu i tij, Klajdi Karameta patën diskutime rreth ndryshimeve të propozuara nga ekspertët ndërkombëtarë, finalizimi i ndryshimit të marrëveshjes për bashkëpunim juridik ndërkombëtar dhe procedimi i mëtutjeshëm.

Në këtë tryezë, Sallahu vlerësoi tri marrëveshjet ekzistuese lidhur me Marrëveshjen për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale, Marrëveshja për Ekstradimin dhe Marrëveshja për Transferimin e Personave të Dënuar, për të cilat duhet përditësim dhe përforcim me elemente shtesë, në mënyrë që të rezultojnë me intensifikimin e luftës ndaj krimit të organizuar dhe grupeve kriminale në operim.

“Me unifikimin procedural në aspektin e fushës juridike, po e rrisim sovranitetin shtetëror duke kontribuar për parandalimin e krimit të organizuar dhe krimit ekonomik, duke ua lehtësuar punën institucioneve tona hetuese dhe duke u dhënë atyre mundësi të jenë shumë më efikase”, tha Sallahu.

Në deklaratë sqarohet se, këto amanamentime të marrëveshjeve ekzistuese parashohin rregullimin e kapitujve të veçantë me dispozita për: sekuestrim dhe konfiskim; identifikim të aseteve të natyrave të ndryshme; krijim të grupeve të përbashkëta hetimore; bashkëpunim të drejtpërdrejtë mes prokurorive dhe gjykatave për njohjen dhe zbatimin e vendimeve penale. /S.Kelmendi


MË SHUME NGA Kosovë