Shfuqizohet vendimi i Haxhiut për largimin nga puna të drejtorit të burgut
Këshilli i Pavarur Mbikqyrës për Shërbyesit Civil e ka shfuqizuar një vendim të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu për shkarkimin e drejtorit të Qendrës së Paraburgimit në Pejë, Arif Beqa.
KPMShCK ka rekomanduar Ministrinë e Drejtësisë që ta rikthejë Beqën në pozitën e drejtorit.
“Aprovohet si e bazuar ankesa e parashtruar nga ankuesi”, thuhet në vendim, teksa vijon: “Shfuqizohet vendimi i datës 22.12.2021 i Ministres së Drejtësisë të Republikës së Kosovës”.
Bazuar në arsyetimin e vendimit të Këshillit, shkarkimi i Arif Beqës është në kundërshtim me ligjin.
“Prandaj, Kolegji për shqyrtimin dhe vendosjen e ankesave pasi ka peshuar me kujdes këto prova një nga një dhe së bashku në tërësi, ka konstatuar se Vendimi me nr.164/2021 i datës 22.12.2021 i Ministres së Ministrisë së Drejtësisë është në kundërshtim me dispozitat e lartshënuara ligjore dhe si i tillë duhet të shfuqizohet me qëllim të kthimit të ligjshmërisë”, thuhet në vendim.
Beqa ishte shkarkuar nga pozita mbi dyshimet për fshehjen e një rasti të ngacmimit seksual i cili dyshohet të ketë ndodhur në Qendrën Korrekutese për të Mitur në Lipjan.
Më parë Beqa ka ushtruar funksionin e drejtorit në Qendrën e paraburgimit në Lipjan, ndërsa së fundi ishte transferuar në Pejë.
























