Mehmeti: Sektori financiar në Kosovë arriti të ruajë qëndrueshmëri të lartë
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës(BQK), Fehmi Mehmeti theksoi se masat e kujdesshme të BQK-së për rimëkëmbje kanë treguar një përformancë në ruajtjen e stabilitetit financiar në Kosovë edhe pse kemi kaluar në kohë të vështira, si pandemia dhe së fundi lufta në Ukrainë.
Ai tha se si rezultat i përmirësimit të situatës me pandeminë, e rrjedhimisht lehtësimit të masave kufizuese në vend dhe jashtë tij, aktiviteti ekonomik pati një rimëkëmbje të fuqishme në vitin 2021.
“Kreditimi dhe financimi i sektorit bankar shënuan rritje të konsiderueshme në gjysmën e dytë të vitit 2021, rritje që bashkë me rritjen e të hyrave formale dhe joformale të diasporës, mbështetën rikuperimin ekonomik në vend”, theksoi Guvernatori Mehmeti në një intervistë për RTKLive.
Sipas tij rritja vjetore e stokut të gjithsej kredive tejkaloi nivelin e rritjes vjetore të kreditimit parapandemik, dhe viti 2021 u mbyll me rritjen më të lartë vjetore të kreditimit në dhjetë vitet e fundit.
“Ehe kreditë e reja krahasuar me tremujorin paraprak dhe tremujorin e njëjtë të vitit paraprak shënuan rritje vjetore të theksuar, si për ndërmarrjet ashtu edhe për ekonomitë familjare”, deklaroi ai.
Kosova sikur shtetet e tjera të botës, ishte e prekur nga pandemia dhe se shumë sektor u goditën nga pandemia nga e cila edhe u humbën shumë vende të punës.
"Masat e kujdesshme të ndërmarra nga BQK-ja janë treguar shumë efektive në ruajtjen e stabilitetit financiar për ekonominë. Sektori bankar arriti të ruajë qëndrueshmëri të lartë. Aktualisht norma e kredive qëndron 2.3 për qind ndërsa norma vjetore 15.7 për qind. Vetëm gjatë vitit 2021 1.8 miliardë euro janë lëshuar kredi të reja. Në rend të parë është stabiliteti financiar. Në anën tjetër jo vetëm që ka tejkaluar krizën por ka marrë rol kyç për rritjen ekonomike. Prandaj prioriteti është që bankat të ruajnë qëndrueshmërinë. Ekonomia ka shënuar rikuperim gjatë vitit 2021 me 10.5 për qind, ku ndër kontribuuesit është edhe sektori bankar. Një ekonomi që të funksionojë mirë duhet të jetë konkurrues, gjithëpërfshirës dhe e qëndrueshme. Vëmendje të veçantë raporti i kushton dixhitalizimit. BQK ka bërë hapa të rëndësishëm në liberalizimin e tregut dhe është duke punuar në draft ligjin në sistemin e pagesave”, tha Mehmeti.
Guvernatori Mehmeti ka folur edhe për dinamikën e kreditimit të ndërmarrjeve gjatë këtij u ndikua në masë më të madhe nga kërkesa e rritur kreditore, përderisa oferta kreditore u lehtësua mirëpo në një nivel më të ulët.
“Standardet kreditore u lehtësuan në nivel më të lartë për NVM-të se sa për ndërmarrjet e mëdha. Ndryshimet në standardet kreditore u ndikuan pozitivisht kryesisht nga mbështetja e kredive nga FKGK dhe presioni i rritur i konkurrencës në sektorin bankar. Njëkohësisht, bankat rritën edhe nivelin e aprovimit të kredive për ndërmarrjet, e veçanërisht për NVM-të”, tha ai.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës(BQK), Fehmi Mehmeti, ka folur edhe për vendosjen e stikersve nëpër automjetet e Kosovës. “"Vendosja e stikersve, paraqet një hap në drejtim të asaj që të ulët % e automjeteve të pasiguruara në Kosovë, e që në rend të parë na hapë rrugë që të fillojmë me negociata për anëtarësimin e Kosovës dhe Këshillin e Byrove dhe që më pastaj do te ketë edhe benefite të tjera, do të rritet buxheti dhe mbi të gjitha është në interes që të ulen aksidentet me fatalitet të cilat janë shkaktuar kryesisht prej automjeteve të pasiguruara. Kjo është arritur falë bashkëpunimit më Byron Kosovare të Sigurimeve (BKS) ”, tha ai.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti bëri me dije se investimet e huaja direkte në Kosovë kanë arritur në 438 milionë euro.
"Investimet e huaja direkte janë rritur në krahasim me një vit më parë, pra investime kemi më shumë në fushën e patundëndshmërisë. Kemi tendencë ta ndërrojmë fushën e investimeve dhe të kemi më shumë aty ku kemi zhvillim dhe gjenerim të vendeve të reja të punës", tha ai.(A.Bela)























