14 deputetë të Zvicrës letër për pranim të Kosovës në Këshillin e Evropës
Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Jeta Statovci, ka njoftuar se pas vizitës që ka pasur së bashku me Grupin e Miqësisë Kosovë-Zvicër, 14 deputetë të Zvicrës i kanë shkruar letër Presidentit të Konfederatës së Zvicrës, Ignazio Cassis për pranim të Kosovës në Këshillin e Evropës.
“E lumtur të pranoj njoftimin që pas vizitës së Grupit të Miqësisë Kosovë-Zvicër dhe takimit të Grupit homolog, Bashkëkryesuesit e Grupit Parlamentar Zvicër-Kosovë në Parlamentin e Zvicrës, përmes një letre zyrtare kanë kërkuar nga Presidenti i Konfederatës së Zvicrës, Ignazio Cassis, njëherit, Udhëheqës i Departamentit Federal për Punë të të Jashtme të Zvicrës, që të përkrahë pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës”, ka shkruar Statovci në profilin e saj në “Facebook”.
"Zvicra ishte ndër shtetet e para që e ka njohur publikisht pavarësinë e Kosovës, dhe Zvicra është anëtare e vlefshme e Këshillit të Evropës që nga viti 1963. Më 29 mars, grupi i miqësisë Zvicër-Kosovë kishte mundësinë të diskutonte çështjen me grupin simotër nga Kosova. Të gjitha palët, si në Qeveri ashtu edhe opozitë, qartë shprehën dëshirën që Zvicra ta përkrahë Kosovën të pranohet”, kanë thënë në letër 14 deputetët nënshkrues.
“Jemi të bindur se është koha e duhur që Kosova të pranohet në Këshill të Evropës”, thuhet tutje në letrën e nënshkruar nga bashkëkryesuesit Doris Fiala, Bashkë-Kryetare, Stefanie Heimgartner, Bashkë-Kryetare dhe Cédric Wermuth, Bashkë-Kryetar e Grupit të Miqësisë Zvicër- Kosovë në Parlamentin e Zvicrës.























