Boletini: RTK ka kursime buxhetore dhe performancë më të mirë
Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka mbajtur mbledhje, në të cilën është bërë shqyrtimi i raportit të Shpenzimeve të Radio Televizionit të Kosovës për periudhën janar-mars 2022.
Kryetari i Bordit të RTK-së Besnik Boletini theksoi se për dallim prej viteve të kaluara në këtë periudhë ka pasur kursime të mjeteve buxhetore dhe një performancë më të mirë të RTK-së.
“Për dallim nga vitet e kaluara, kemi një pasqyrë më ndryshe të pasqyrave financiare. Kemi punuar me një logjikë racionale të kursimeve në mediumin publik, ku 79 mijë euro kemi kursime në muaj. Në kuadër të kursimeve të shpenzimeve, disa menaxherë që kanë qenë me paga të larta, ato janë zbritur. Këto mjete të kursimeve janë bartur për shërbime tjera. Megjithatë sfidë mbetet nga përmbaruesit privatë, të cilët kërcënojnë RTK-në për ngrirjen e llogarive bankare për shkak të borxheve”, deklaroi kryetari i bordit Besnik Boletini. Ai bëri me dije se do të bëjnë një investim prej 15 mijë eurosh në RTK 1 për ta bartur stafin e RTK 3 në infrastrukturën e RTK 1.
Në mbledhje kanë marrë pjesë Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj dhe disa anëtarë të bordit të RTK-së.























