Stadiumet në Dobrajë e Magurë ende të papërfunduara, opozita kërkon llogari
BKT
Kosovë

Stadiumet në Dobrajë e Magurë ende të papërfunduara, opozita kërkon llogari

Ahmet Maholli

Nga viti 2017, komuna e Lipjanit ka investuar rreth 680 mijë euro për ndërtimin e dy stadiumeve në fshatrat Magurë e Dobrajë, por ato ende nuk janë përfunduar.

Në komunë arsyetohen se projektet janë vonuar për shkak të pandemisë, por opozita kritikon qeverisjen komunale, duke thënë se do të kërkojnë përgjegjësi penale.

Edhe pas pesë vjetësh këto fusha kanë mbetur në një gjendje jo të mirë për nga infrastruktura, madje ka edhe shembje dheu. Për opozitën është e papranueshme kjo që po bën qeverisja e Lipjanit.

“Satadiumet e futbollit në Magurë dhe Dobrajë, kanë filluar të ndërtohen që nga viti 2017. Janë investuar diku 680 mijë euro, një shumë e madhe e taksave të qytetarëve, e ky projekt siç po shihet edhe sot e kësaj dite është i pafunskionalizuar. Është i dështuar krejtësisht, nuk ka zbatim të projektit, menaxhim i dobët i projektit dhe nga ajo që po shihet është vështirë që të realziohet ky projekt”, ka thënë për RTK-në, Lulzim Rrustemi, asamblist i PDK-së në komunën e Lipjanit.

Ndërkaq, Alban Saliu, asamblist nga radhët e LVV-së ka thënë se komuna nuk po arrin të gjejë mënyra që investimet t’i bëjë në mënyrën e duhur.

“Këtu janë investuar rreth 300 mijë euro dhe realisht ne nuk kemi stadium por e kemi një gërmadhë të madhe, ku siq po shihet është e pamundur të funksionalizohet dhe ne si opozitë kemi kërkuar që dikush të japë përgjegjësi, ndoshta edhe penale”, ka thënë Saliu.

Mungesa e nje strategjie dhe keqmenaxhimi i projekteve dhe mungesa e fizibiletit ka bërë që komuna e Lipjanit ende nuk ka arritur t’i realizojë projektet të cilat kapin shifrën e 700 mijë euro.

Zëdhënësja e komunës së Lipjanit, Hyra Bytyqi, tha se arsyet e mospërfundimit të stadiumit në Magurë ishin pandemia dhe ndërrimi i shpeshtë i kritereve nga Federata e Futbollit të Kosovës.

“Federata e Futbollit ka kërkuar që të ndryshohen kriteret vzhdimisht dhe diametri i fushave sportive, ndërkaq ka pasur probleme tjera edhe me kontraktor të cilëve u është dhënë vërejtje me shkrim nga menaxherët. Ndërsa, stadiumi në Dobrajë është duke u përfunduar dhe konsideroj se shumë shpejt do të përfundohet dhe do t’i jepet nën menaxhim klubit Arbëria”, ka thënë zëdhënësja e komunës.

Rreth 680 mijë euro është shuma e taksapaguesve të Lipjanit për ndërtimin e këtyre dy stadiumeve të futbollit.


MË SHUME NGA Kosovë