Shefi i Zyrës së BE-së vizitoi Mitrovicën
Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog ka qëndruar sot për vizitë në Mitrovicë, ku është pritur nga kryetari i komunës, Bedri Hamza.
Gjatë këtij takimi është diskutuar për gjendjen e përgjithshme në Mitrovicë, projektet në realizim e sipër dhe prioritet e pushtetit lokal, ku arsimi, shëndetësia, ambienti, kultura, rinia dhe sporti janë fushat që pritet të gëzojnë mbështetje.
“Kryetari Hamza shprehu falënderimin dhe mirënjohjen ndaj Szunyog për përkrahjen e vazhdueshme që institucionet evropiane i ka dhënë Kosovës ndër vite, në konsolidimin e institucioneve dhe realizimin e projekteve të përbashkëta. Ndërsa, Szunyog pasi përgëzoj kryetarin Hamza për zgjedhjen e tij në krye të Komunës së Mitrovicës konfirmoj ofrimin e mbështetjes së Bashkimit Evropian në realizimin e projekteve për të gjithë qytetarët e Mitrovicës”, thuhet në njoftimin e zyrës për informim të Komunës së Mitrovicës.
Hamza dhe Szunyog po ashtu kanë vizituar edhe Parkun e Biznesit në Mitrovicë, për të identifikuar vështirësitë dhe kërkesat që kanë bizneset për përkrahje nga institucionet në të ardhmen.























