Prishtina, qyteti pa spital rajonal
BKT
Kosovë

Prishtina, qyteti pa spital rajonal

Prishtina i vetmi qytet pa spital rajonal, ndonëse ka kohë që premtohet një spital i tillë në kryeqytet, por duket se do të shkojnë edhe shumë vite derisa të ndërtohet një spital i tillë.

Kryetari i Komunës se Prishtinës, Perparim Rama, ka premtuar një spital të tillë e që, aktualisht, është duke bërë një analizë të situatës, duke ndarë një buxhet për një plan ideor.

Lidhur me këtë problem, drejtor i Drejtorisë për Shëndetësi, Izet Sadiku, deklaroi se ndërtimi i një spitali të tillë ka qenë një premtim i kahershëm.

“Me Ligjin për Prishtinën, kjo komunë ka të drejtën që, përveç organizimit e menaxhimit të shëndetësisë primare ta themelojë edhe shëndetësinë sekondare, ku në këtë kuadër është edhe spitali, i premtuar kaherë”, deklaroi ai.

Tutje, ai shtoi se duke qenë një komunë pa spital, kryetari i komunës, Përparim Rama, ka ndarë një buxhet, ku, tani për tani, jemi duke bërë një plan ideor për të vijuar realizimin praktik në sendërtimin e kësaj ideje.

Ndërsa ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka bërë të ditur se spitali i Prishtinës është në diskutim, por që nuk dihet ende  se çfarë spitali do të ndërtohet.

“Çështja e spitalit të Prishtinës është në diskutim. Unë jam i interesuar që në një mënyrë ose në një tjetër, ta zgjidhim ngërçin që ekziston tani në Prishtinë dhe në QKUK. Se a do ta bëjmë një spital të ri të Prishtinës apo një spital të ri shkencor, kjo është diçka që duhet diskutuar në nivele më të larta”, deklaroi ministri.

Ndërkohë, siç bëhet e ditur nga Ministria e Shëndetësisë, për këtë vit nuk ka planifikuar investime për spitalin e Prishtinës në kuadër të investimeve kapitale.


MË SHUME NGA Kosovë