Murati: 100 euro janë ekzekutuar për sektorin publik
Emine Hoti/RTKlive.com
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka mbajtur konferencë për media, në të cilën ka dhënë më shumë detaje rreth shpërndarjes së 100 eurove.
Ai bëri me dije se janë ekzekutuar shtesat prej 100 eurove për sektorin publik, ndërsa ato për punëtorët e sektorit privat pritet të dalin pas verifikimeve nga komisioni shqyrtues.
"Procesi është ende i hapur për aplikim dhe po presim aplikimet në vazhdimësi. Prej javës tjetër besoj që do të formohet komisioni shqyrtues i cili më pas do të trajtojë të gjitha aplikimet dhe do të mund të fillojë pagesa edhe për këtë kategori", tha ai.
Ai tha se në kuadër të pakos janë ndarë mbështetja shtesë e 280 mijë pensionistëve, si dhe është shpërndarë dyfishi i skemës sociale.
Murati tha se më 5 maj do të hidhet në votim edhe ndryshim plotësimi i ligjit për rritjen e pagës minimale në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës.
“Për familjet që po kalojnë kohë krize ekonomike, sot gjatë ditës kemi nënshkruar marrëveshjen me 39 organizata që kanë si veprimtari shpërndarjen e pakove ushqimore, ku janë gjithsej 34 mijë pako ushqimore. Po ashtu është shpërndarë mbështetja shtesë e 280 mijë pensionistëve, si dhe është shpërndarë dyfishi i skemës sociale, po ashtu 80 mijë zyrtarët publikë kanë marr subvencione shtesë prej 100 euro”, ka thënë ai.
Ai bëri me dje se të premtën është përmbyllur edhe takimi i Komisionit të Granteve, ku është aprovua financimi komunal për vitin 2023.
“Granti i Përgjithshëm për vitin 2023 u miratua me rritje prej 32 % që paraqet rritjen më të madhe ndonjëherë.Rritje kishte edhe në fushën e arsimit ku u shtuan politika të reja si shtimi i numrit të asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta në 500. Po ashtu, në kuadër të këtyre politikave përfshihen edhe angazhimi i 59 konsulentëve të karrierës nëpër shkollat, si dhe shtimi i 30 profesionistëve të Teknologjisë Informative”, tha Murati.
Murati tha se në fushën e shëndetësisë politikat e reja përfshijnë shtimin e personelit shëndetësor prej 299 profesionistësh në shëndetësinë primare, vizitat për gra shtatzëna e fëmijë, si dhe vizitat për persona në kujdes paliativ.























