Lekajt e të tjerëve iu lexua aktakuza (E plotësuar)
Foto: Visar Shatrolli
Kosovë

Lekajt e të tjerëve iu lexua aktakuza (E plotësuar)

Visar Shatrolli/RTK

Ka përfunduar seanca e parë dëgjimore në rastin e 53-milionishit, ku një nga të akuzuarit është edhe ish ministri i infrastrukturës, Pal Lekaj.

Ka përfunduar seanca e parë dëgjimore në rastin e 53-milionishit, ku një nga të akuzuarit është edhe ish ministri i infrastrukturës, Pal Lekaj.

Prokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës,  Valdet Gashi,  ka lexuar fillimisht aktakuzën që rëndon ndaj të katër të akuzuarve.

Sipas aktakuzës, ata ngarkohen për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Seanca  e radhës ndaj këtyre të akuzuarve, është caktuar të mbahet më 17 qershor në orën 10:00.

Nis seanca fillestare për "rastin e 53-milionëshit”

Në Departamentin e Krimeve të Rënda, Gjykata Themelore në Prishtinë, nisi seanca fillestare në rastin e “53 milionë eurove”, të ndara shtesë për “Bechtel & Enka”, për Autostradën Prishtinë- Han i Elezit.

Sipas prokurorisë, këta persona akuzohen për shkak të dyshimit se kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, me ç’rast buxhetit të Republikës së Kosovës, i kanë shkaktuar dëme në vlera milionëshe.

Prandaj, sot, në Departamentin e Krimeve të Rënda,  në  Gjykatën Themelore në Prishtinë, nisi   seanca fillestare në rastin e cilësuar si “53 milionëshi”.

Të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare janë ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, këshilltarini lartë politik i tij, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri.

Ky është rasti kur kompanisë “Bechtel & Enka”, dyshohet se kundërligjshëm i janë ndarë 53 milion euro.

Ish-ministri Lekaj dhe tre zyrtarët e tjerë Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri akuzohen se janë përfshirë në afera korruptive kur ishte vendosur për ndarjen e këtyre mjeteve në emër të vazhdimit të punimeve në Autostradën “Arbën Xhaferi” që lidh kryeqytetin me Hanin e Elezit.

Me veprimet e tyre ata akuzohen se buxhetit të Kosovës i është shkaktuar dëm në vlerë prej 38.321.346.00 euro.

Sipas PSRK-së, ndonëse të pandehurit kanë qenë në njohuri që sipas aneks-kontratës kostoja shtesë në emër të shtyrjes së afatit të punimeve të jetë 14 milionë e 778 euro, me dashje kishin nënshkruar një marrëveshje të re pa kosto.

Aktakuza thotë se Lekaj kishte caktuar Eset Berishën që të marrë pjesë në negociata për arritjen e marrëveshjes me “Bechtel & Enka” ku ata pajtohen që në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve, Ministria e Infrastrukturës t’i paguajë koston shtesë në vlerë prej 53 milionë e 100 mijë euro.

Sipas Prokurorisë, historia nis në vitin 2017 kur Ministria që drejtohej nga Pal Lekaj nënshkroi një marrëveshje me kompaninë “Bechtel-Enka” për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit për 347 ditë të tjera duke mos përcaktuar koston financiare.

Kjo, sipas aktakuzës, i kishte hapur rrugë kompanisë që më datën 27 nëntor 2017 të paraqesë një kërkesë në Ministrinë e Infrastrukturës për pagesë të shumës shtesë “Briefing Package” në vlerë prej 63 milionë euro në emër të “zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve”.

Kërkesa e njëjtë më pastaj ishte zbritur në 53 milionë e 100 mijë euro, e cila edhe ishte ekzekutuar më 5 qershor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës.

Vendimin për ndarje e kishte nënshkruar në atë kohë Ramush Haradinaj, sa ishte në krye të Qeverisë.

 

 


MË SHUME NGA Kosovë