Më 4 e 14 qershor, testi i arritshmërisë për Kl.9
Foto: RTK
Kosovë

Më 4 e 14 qershor, testi i arritshmërisë për Kl.9

Valbona Tahiri / RTK

Testi i arritshmërisë do të mbahet me 4 dhe 14 qershor për klasat e nënta. Semimaturantët pas çdo orë mësimore, janë duke mbajtur edhe orë plotësuese për t’u përgatitur sa më shumë që të tregojnë rezultate të kënaqshme në testin e arritshmërisë.

Këtë,  ata e realizojnë së bashku me mësimdhënësit, pasi në testin e klasave të nënta vlerësohen njohurit e fituara përgjatë viteve në arsimin e mesëm të ulët nga klasa e gjashtë deri në të nëntën.

Shumë prej nxënësve tashmë i kanë blerë nëpër librari edhe testet e arritshmërisë së viteve të kaluara, që të ripërsërisin mësimet edhe vetë në shtëpi.

Semimaturanti, Andi Sahatçia tregon se në fund të çdo ore mësimor, 10 – 15 minutat e fundit i përsërisin mësimet në secilën lëndë.

“Ne jemi duke u përgatitur në shkollë pas mësimit çdo ditë. Për të treguar sukses në këtë test, jemi duke u përgatit sistematikisht që mos t’i lëmë mësimet për t’i përsëritur për një muaj, pasi është më vështirë dhe, edhe mund të dështojmë në testin e arritshmërisë”, deklaroi ai për RTK.

Për arritjen e rezultateve të mirë këtë vit në testin e arritshmërisë, është dyshuese arsimtarja e kimisë, Leonora Zuka pasi pandemia me COVID 19, ka ndikuar tejet shumë në zhvillimin normal dhe cilësor të mësimit.

“Situata me pandeminë ka ndikuar në zhvillimin normal të procesit mësimor, kur këta nxënës ishin në klasën e shtatë dhe mësimet më të rëndësishme nga lënda e kimisë u zhvilluar online. Ne po mundohemi që me mbajtjen e orëve plotësuese dhe ripërsëritjen e mësimeve ta kompensojmë atë humbje që nxënësit të arrijnë sukses në këtë test”, thotë Zuka.

Për pasqyrim real të rezultatit në testin e klasave të nënta,drejtues të shkollave, gjegjësisht ata të shkollës “Yll Morina” në Gjakovë kërkojnë administrim të duhur të testit, që ai mos të përfundojë në rrjete sociale për kopjim.

Mbajtjen e testit të arritshmërisë, njohës të çështjeve arsimore nga Instituti “EdGuard” e shohin të paarsyeshëm, pasi nuk po jetësohet roli i tij, i cili është orientimi i nxënësve në karrierë.

“Testin e arritshmërisë ne kemi avokuar që nuk ka kuptim më të organizohet pasi që në thelb i mungon qëllimi i vetë,. Forma siç realizohet është procedurë burokratike që më tepër është barrë për nxënësin, se sa që i shërben atij…” ka theksuar Rinor Qehaja drejtor ekzekutiv i institutit “EdGuard”.

Kalueshmëria në testin e arritshmërisë vitin e kaluar 2020/2021 ishte 57.1 për qind.