Osmani e Kurti përkujtojnë legjenden e boksit kosovar, Xhevdet Peci
Foto nga Facebook
Kosovë

Osmani e Kurti përkujtojnë legjenden e boksit kosovar, Xhevdet Peci

Naser Mekolli /RTKlive.com

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpehur ngushëllime për familjen, Klubin e Boksit “Prishtina” dhe komunitetin sportiv me rastin e ndarjes nga jeta të legjendës së boksit kosovar, Xhevdet Peci.

“Me dhimbje të thellë pranova lajmin për ikjen e hershme të legjendës së boksit kosovar, z.Xhevdet Peci", deklaroi presidentja Vjosa Osmani.

Ajo tha se Peci na përfaqësoi denjësisht në këtë sport dhe na bëri krenar në kohëra të vështira.

"Pas vetes la një histori të bujshme në sportin e boksit duke qenë disa herë radhazi kampion, ndaj do të mbetet model për brezin e tashëm dhe të ardhshëm në këtë disiplinë sportive", u shpreh presidentja e Republikës.

"Do të jetojmë përjetësisht me kujtimin e dorëzës së hekurt të Xhevdet Pecit", shkori ajo në telegramin e ngushëllimit drejtuar familjes Peci.

"Ju përcjell ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, miqve dhe komunitetit sportiv!”, thuhet në mesazhin ngushëllues të Presidentes Osmani.

Ora : 15:30

Kurti: Xhevdet Peci ka hyrë në historinë e sportit në Kosovë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, me rastin e vdekjes së legjendës së boksit Xhevdet Peci i ka shprehur ngushëllime familjes Peci, miqve të tij dhe kolegëve boksierë të KB “Prishtinës”.

“Me pikëllim mora lajmin për vdekjen e Xhevdet Pecit, boksierit të shquar të Kosovës gjatë viteve ’70-të dhe fillimviteve ’80-të. Ngushëllime familjes Peci, miqve të tij dhe të gjithë kolegëve boksierë të Xhevdetit, të gjeneratës së artë të KB 'Prishtinës”, ka thënë Kurti.

Kreu u qeverisë, në një postim në Facebook ka përkujtuar femërinë e tij kur në stadiumin e kryeqytetit të KF “Prishtina” të dielave pasdite, shkonte në Pallatin e Rinisë për t’i parë boksierët e KB “Prishtina”.

“Bashkë me Lah Nimanin, Nazif Gashin, Aziz Salihun, Naser Bajramin, Mehmet Bogujevcin, Fatmir Makollin dhe boksierë të tjerë, ishte edhe Xhevdet Peci. Me stilin e tij të shpejtë të të boksuarit në ring, Xhevdet Peci i fitoi simpatitë dhe zemrat e mijëra dashamirësve të sportit, mes tyre edhe timen si një fëmijë entuziast për boksierin Xhevdet Peci, që 5 vite rresht askush nuk arriti ta mposhte”, tha ai.

Tutje, Kurti thotë se Xhevdet Peci u bë një nga sportistët më të trofeshëm në boksin e Kosovës dhe të Ballkanit. Xhevdet Peci ishte i mirënjohur për grushtet e tij të forta dhe goditjet e parezistueshme, me të cilët nokautonte kundërshtarët pa konsumuar të gjitha raundet.

“Ai arriti të shpallej katër herë kampion i ish-Jugosllavisë në konkurrencë individuale dhe pesë herë në konkurrencë ekipore si dhe dy herë kampion ballkanik. Me karrierën e tij të pasur, boksieri Xhevdet Peci ka hyrë në historinë e boksit dhe të sporteve në Kosovë, ku ai do të kujtohet për trofetë e fituar, kontributin për zhvillimin e boksit në Kosovë, për grushtet nokautuese të tij, madje edhe për “nokautimin” e referit që i bëri padrejtësi”, ka shkruar ai. 

Si dihet, të hënën ka vdekur Xhevdet Peci një prej boksierëve më të mëdhenj që ka pasur Kosova. Peci së fundi ka jetuar në SHBA, ndërsa ishte pjesë e gjeneratës së artë të KB "Prishtina".

Mund të jetë një imazh i 11 persona, njerëz në këmbë dhe ambiente të jashtme

Mund të jetë një imazh i 3 persona dhe njerëz në këmbë