Sulmi ndaj profesoreshës, reagon UP (E plotësuar)
Foto: Hatixhe Latifi-Pupovci/ Facebook
Kosovë

Sulmi ndaj profesoreshës, reagon UP (E plotësuar)

Jehona Zhitia/RTK

Universiteti i Prishtinës, me shqetësim të thellë ka pranuar lajmin për sulmin fizik ndaj profesoreshës së Fakultetit të Mjekësisë në UP, prof. asoc. dr. Hatixhe Latifi Pupovci.

Përmes një komunikatë për media, UP-ja thotë se aktet e tilla janë sjellje të papranueshme dhe të dënueshme, e të njëjtat cenojnë rëndë misionin e UP-së të lidhur me krijimin dhe zhvillimin e shoqërisë tolerante dhe dhënien e ndihmesës në procesin e promovimit të demokracisë qytetare.

“Me këtë rast, UP-ja u bënë thirrje organeve kompetente që aktin në fjalë ta trajtojnë më urgjencë dhe ndaj sulmuesit të shqiptojnë masën adekuate ligjore. UP-ja thekson gatishmërinë që të bashkëpunojë ngushtë më organet përkatëse, për të mundësuar zbardhjen e rrethanave dhe trajtimin e rastit në tërësi”, thuhet në reagimin e tyre.

Ora: 22:45

Prindi i një studenti, dyshohet se sulmoi profesoreshën Pupovci

Është sulmuar në vendin e punës profesoresha e mjekësisë Hatixhe Latifi-Pupovci. Sulmin e ka konfirmuar dhe Policia e Kosovës. Sipas zëdhënëses së policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, rasti ka ndodhur rreth orës 14:30 në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, ku një person është sulmuar fizikisht.

Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe, bazuar në të dhënat e deritanishme në këtë rast, konfirmon se personi në fjalë ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor.

Jozyrtarisht RTK merr vesh se profesoresha Hatixhe Pupovci është sulmuar në vendin e punës nga prindi i një studenti në shenjë pakënaqësie lidhur me ankesat e djalit të tij pasi që nuk e ka kaluar provimin në lëndën e profesoreshës Popovci.

Sipas policisë, personi i dyshuar është shoqëruar për intervistim në stacionin policor.

Kurse profesoresha Hatixhe Latifi-Pupovci ka reaguar edhe në rrjetin social Facebook.

"Po më vjen shumë keq për shqetësimin që ka mund të ju sjell lajmi që veç qenka nëpër portale rreth sulmit që më ka ndodhur", shkroi profesoresha Pupovci.

Sipas saj, ka qenë një sulm krejtësisht i pa pritur dhe i pa provokuar, i shkaktuar nga motive të pa kuptueshme.

"Studenti i pakënaqur me notën e provimit ka mënyra të tjera akademike për të kërkuar drejtësinë, ndërsa ndërhyrja e prindit është krejtësisht e pa pranueshme".

Ajo deklaroi se është për keqardhje që ky prind, edhe vet mjek, nuk e kupton se sa me rëndësi është mbajtja e kriterit në një lëndë kyçe për formimin e çdo mjeku të ardhshëm.

"Por, zgjedh dhunën si rrugë për arritjen e qëllimit të vet. Si duket specialisti i gjinekologjisë, dr. Arsim Gashi, nuk e ka herën e parë që përmes dhunës tenton t’i zgjidh problemet. Prandaj pres që ta merr dënimin e merituar", shkroi profesoresha Pupovci në reagimin e saj, në lidhje me incidentin.


MË SHUME NGA Kosovë