Presidentja nderon Presidentin
Jeton Musliu / RTKlive
Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani-Sadriu, në Ditën e Presidentit, bëri nderime pranë shtatores së Presidentit historik, Ibrahim Rugova në Prishtinë.
Ajo deklaroi se Rugova, është arkitekt i shtetit të pavarur të Kosovës, nismëtar i jetës demokratike dhe të angazhimit plural politik.
“Në ditën e tij, të vendosur prej vetë atij, si shenjë përkujtimi e përjetësimi të zgjedhjeve të para demokratike në Republikën e shpallur të Kosovës, më 24 maj 1992, e nderuam presidentin Rugova për vizionin e tij, e rikujtuam madhështinë e veprës së tij dhe e ritheksuam peshën e tij në jetën tonë politike”, deklaroi presidentja Osmani-Sadriu.
“Kjo ditë i kushtohet atij!”,tha ajo.
Me 24 maj 1992, Kosova mbajti zgjedhjet e para, pasi Kuvendi i Kosovës kishte shpallur Deklaratën Kushtetuese dhe vendi kishte shpallur pavarësinë nga ish-Jugosllavia, pavarësi kjo që ishte e panjohur ndërkombëtarisht në atë kohë.
Nga ajo kohë, shqiptarët ën Kosovë krijuan institucionet paralele të cilat ishin organizim i lartë shoqëror e politik, dhe i rezistuan okupimit dhe aparteidit serb, deri në fundin e vitit 1997.
Atëbotë, për herë të parë në skenë doli Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila vazhdoi përpjekjet për liri, por duke rrokur armët.