Shkolla unike e artit në Pejë, të shndërrohet në aset shtetëror
Valbona Tahiri / RTK
Në shkollën e artit “Odhise Paskali” ofrohen drejtimet: dizajn tekstilit; modës; enterierit; grafikës; qeramikës dhe pikturës
Shkolla “Odhise Paskali” në Pejë shërben për mësimin profesional të artit që nga viti 1949.
Nga aty dolën gjenerata të shumta të cilët janë emra të njohur në botën e artit në Kosovë dhe botë. Puna praktike për të gjitha drejtimet ofrohet brenda shkollës.
Nxënëset e klasës së dymbëdhjetë të drejtimit “Dizajn i tekstilit dhe veshjeve” në orën mësimore “Formësimi i veshjeve” përveç pjesës teorike të cilën e zhvillojnë në klasë ato vazhdojnë mësimin në kabinetet brenda shkollës.
Nëpër kabinete nxënëset tregojnë se i marrin hapat e parë për të vazhduar punën pastaj në kompanitë e qytetit.
Nxënësja Elsa Hykaj thekson se me punën që bëjnë në shkollë janë të gatshëm për tregun e punës.
“Jemi në orën e prerjes dhe qepjes. Me praktikën që e kemi zhvillu gjatë 3 viteve këtu brenda shkollës, tashmë jemi ta gatshëm për punë…” tha ajo për RTK-në.
Profesoresha Arta Kollqaku tregon se përveç në shkollë, nxënësit e tyre realizojnë praktikën me pagesë edhe në kompanitë e qytetit.
“Këtë vit kemi filluar praktikën profesionale në biznese të ndryshme, 2 herë në javë e kryejnë në 5 kompanitë qytetit të cilat disa edhe i paguajnë nxënësit. Shpesh herë thuhet se arti nuk ka të ardhme, por nga kjo shkollë kanë dalë emra shumë të njiohur në botën e artit”, tregon Kollqaku.
Drejtuesit e shkollës së artit “Odhise Paskali në Pejë, kërkojnë që drejtimet që ofrohen aty të shpallen aset shtetërore.
“Shkolla jonë është tani e 74 vite, është shkolla e vetme e arteve aplikative në shtetin e Kosovës, është një aset shtetëror kjo shkollë. Këtu çdo fundvit mbajmë ekspozitën e shkollës. Madje kemi punuar edhe për muzeun kombëtar, replikat e eksponateve, të cilat do të shkojnë në vende të ndryshme”, deklaron drejtori i shkollës së artit “Odhise Paskali” në Pejë, Bujar Kelmendi.
Në shkollën profesionale të arteve “Odhise Paskali” në Pejë vijojnë mësimin 280 nxënës në pesë drejtime:dizajn tekstilit dhe modës; dizajn enterieri; dizajn grafika; dizajn qeramika dhe piktura.























