100 kallëzime penale për vrasjet në Kosovë (Video)
BKT
Foto: RTKLive
Kosovë

100 kallëzime penale për vrasjet në Kosovë (Video)

Valbona Thaçi/RTKLive

Në emisionin “Aktual” në RTK, sot u diskutua për temën e krimeve të luftës dhe dokumentimin e asaj çfarë ka ndodhur në Kosovë, përfshirë edhe çështjen e të pagjeturve.

Shkëndije Hoda nga shoqata “Gjakova 98'99” , e dorëzoi në Policinë e Kosovës - sektori i Krimeve të Luftës, edhe  16 të kallëzime penale, për krimet e kryera nga Serbia në komunën e Gjakovës.

 “Kontingjenti i 16-të që do ta dozojmë sot përmban 100 kallëzime penale, ku 95 për qind e kallëzimeve i përkushtohen vrasjeve, që do të thotë se me këto padi e mbyllim kategorinë e krimeve të vrasjeve dhe masakrave që kanë ndodh në Komunën e Gjakovës, ku kemi nxjerrë një shifër prej 1126 vrasjeve duke përfshirë edhe 26 vrasje nga komunat tjera që janë të shpërngulur në komunën e Gjakovës dhe janë vrarë në Korenicë apo edhe në Meje”, tha Hoda në emisionin “Aktual”.

Sipas saj e rëndësishme është që të ngritët padi. “Ne e dimë që kriminelet në komunën e Gjakovës e kanë të ndaluar hyrjen. Ne e dimë që policia nuk ka të drejtë të shkojë t’i arrestojë  në Beograd, tha ajo.

Hodaj tha se është shumë e kënaqur me punën e policisë.

“Jam e bindur që do të ndodhë një befasi për të gjithë ne, pasi rasti i Mejes ku prokuroria dhe prokurori  kanë qenë dhe e kanë vizituar,  e kanë shpallë si zonë e masakrës, tregon që po fillon një rrugëtim pozitiv për tu dënuar kriminelët”, shtoi Hoda.

Ajo deklaroi se do të vazhdojnë me kallëzime penale për dëmet materiale, për torturat fizike që janë kryer mbi popullatën shqiptare të komunës së Gjakovës dhe me pengjet e luftës.

I ftuar në studio ishte kryetari i “Qendrës Burimore për Persona të Pagjetur”, Bajram Çerkini  i cili tha se çështja e personave të pagjetur ka stagnuar, dhe kjo, sipas tij,  është mos puna e Brukselit për çështjen e personave të pagjetur.

“Ne kemi kërkuar që të bëhet një strategji e gjerë me të gjithë akterët që janë të përfshirë  në këtë proces dhe të hyjë edhe politika, por vetëm ne Bruksel me krerët më të lartë, të ulën dhe të thonë se kjo çështje duhet të zgjidhet në aspektin human dhe të ketë strategji se çka të bëhet më tej”, tha ai.

Çerkini shtoi se nuk është bërë strategjia dhe as nuk është punuar ashtu siç kanë pritur të punohet nga ana e  Brukselit, e deri te komisionet qeveritare.

Kurse Jahir Bejta nga shoqata “Ngritja e Zërit”, tha se drejtësia nuk ekziston në Kosovë dhe familjarët janë tejet të zhgënjyer për heshtjen e organeve përkatëse relevante.

Ai tha se nuk ka përkrahje nga Ministria e Drejtësisë, kurse atyre u kërkohet logjistikë.

“Ne krejt i kemi, njëmijë dosje nuk kemi mundur të mbledhim më shumë. Kemi dosje nga 20 komuna të Kosovës dhe refuzohen nga Gjykata Themelore, Gjykata e Apelit, Gjykata Supreme edhe Gjykata kushtetuese”.


MË SHUME NGA Kosovë