Të bëhesh instrumentist në Kosovë, me literaturë ruse e serbe (Video)
Valbona Tahiri / RTK
Partiturat për mësimin teorik të instrumente janë në gjuhën serbe-kroate dhe atë ruse. Librat për instrumentet muzikore në Kosovë janë në gjuhën serbo-kroate e madje edhe atë ruse. Këto tekste të cilat ekzistojnë tani e mbi 40 vite, përdoren në shkollat e muzikës në vendin tonë, pasi Ministritë gjegjëse ajo e Kulturës dhe Arsimit, nuk kanë marrë mundin të investojnë në këtë drejtim.
Violonçeli në muzikë njihet për mundësit e saj të pakufishme, atë të tingujve që mund të thuhet vokale, gjatë performimit në te si instrument i vetëm, si pjesë të një orkestre apo edhe gjatë interpretimit të një melodie me një ansambël telash.
Të gjitha këto ishin shtytje për Agnesa Beqiri që ajo të zgjedhe violonçelin si instrumentin e saj.
“E kam përzgjedhë se më ka pëlqyer shumë dhe do të vazhdojë edhe më tutje”, thotë Agnesa për RTK-në.
Sfida më e madhe për nxënësit në shkollën e muzikës në arsimin fillor është mungesa e literaturës sa i përket pjesës teorike, e cila mungon në gjuhën shqipe.
Nxënësit e pothuajse të gjitha instrumenteve pjesën teorike për notat muzikore, çelësat muzikor, përdorimin e tyre, kohëzgjatjen, krijimin e një pjese muzikore e shumë njohurive rreth muzikës i marrin të shkruara nga mësimdhënësit, pasi librat që ata kanë në dispozicion janë në gjuhën serbe dhe atë ruse.
Kjo vështirëson procesin mësimor teorik muzikor.
Mësimdhënësja e violonçelit Arzie Jusufi tregon se librat për mësimin e këtij instrumenti në aspektin teorik janë në gjuhën ruse, por ajo në formën vetjake ka marrë që të përdorë libra të liceut artistik muzikor të Tiranës, pasi ato janë në gjuhën shqipe. Edhe pse edhe këto tekste janë të botuara para 50 vitesh, gjegjësisht në vitin 1971. Derisa shumicën e partiturave për violonçel profesoresha Arzie i merr nga internet.
“Dëshira e madhe edhe dashuria për profesionin është ajo që të gjitha këto problem i mbulon. Edhe unë punojë me shumë vullnet vijë në shkollë me plote energji pozitive, i harrojë këto problem dhe mundohem me e nxjerrë më të mirën me atë që e kam”, deklaron Arzie Jusufi, profesoreshë e violonçelit.
Problemin më të madh me mungesën e teksteve përveç arsimit fillor në shkollën e muzikës e kanë nxënësit dhe profesorët e nivelit të mesëm të shkollave të muzikës.
“Disa libra i kemi të zyrtarizuara nga shtëpitë botuese e disa jo, shkolla u mundu me bë skripte që me e pas ne me lehtë mësimin siç janë lëndët harmoni e kontrapunkt”, tregon Xhemile Azemi, nxënëse në klasën e 12 në drejtimin instrumental.
Profesorët e lëndëve profesionale teorike në shkollën e mesme të muzikës në Gjilan tregojnë se kanë krijuar tekste shkollore me referenca nga autor tejet të vlerësuar, me të cilat tekste këta mësimdhënës kanë aplikuar në Ministrinë e Arsimit por nuk janë marrë asnjëherë parasysh për t’u aprovuar që këto tekste të përdoren nga nxënësit e shkollave profesionale muzikore si tekste bazë, edhe pse këto tekste janë në shitje dhe blihen nga nxënësit për lëndët e caktuara muzikore nga nxënësit e të gjitha qyteteve në Kosovë.
“Literatura mungon dhe ne si staf jemi munduar që të gjejmë një mënyrë më të mirë, personalisht në lëndën e kontrapunktit vokal e kam realizuar një skripte ku jam referuar në libra të ndryshme që nxënësit ta kenë sa me të lehtë po nuk kam hasë në mbështetje institucionale”, thotë mësimdhënësi i lëndës histori dhe literaturë muzikore, Dëfrim Behluli.
Mungesën e teksteve shkollore teorike profesionale muzikore në gjuhën shqipe e pranojnë edhe drejtues të Ministrisë së Arsimit, por ata u zotuan se shumë shpejt do të vihet deri të zgjidhja e këtij problem ekzistues tani e 22 vite.
“Të gjitha shkollat profesionale kanë mungesë të teksteve në gjuhën shqipe, në muajin mars – prill do të dal ligji për hartimin e teksteve shkollore në dëgjim publik, pasi është duke u punuar, e këtu do të hyjnë edhe shkollat e muzikës dhe do të quhen shkolla artistike”, deklaroi zëdhënësja në Ministrinë e Arsimit, Iliriana Pylla.
Pavarësisht vështirësive, mungesës së literaturës profesionale, nxënësit e shkollës së muzikës çdo herë kanë dalë triumfues duke i rrëmbyer vendet e para në gara vendore e ndërkombëtare të realizuara gjatë vitit të kaluar e këtë vit.























