Rama dhe Szunyog mbjellin 100 drurë të blirit në Arbëri
Kimete Kasumi/ RTKlive
Sot, me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Mjedisit, ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kanë mbjellë 100 drurë të blirit në afërsi të shkallëve të Dragodanit (Arbërisë) në Prishtinë.
Szunyogu është shprehur i lumtur me interesimin e pjesëmarrësve në këtë aktivitet. Ai tha se ky aktivitet tregon se sa BE-ja është e përfshirë në bërjen e Prishtinës një qytet i gjelbër.
“Dua të theksoj se Kosova ka bërë disa përparime, por ende përballet me sfida dhe probleme mjedisore, me ndotje të ajrit, të ujit e të tokës”, është shprehur Szunyogu.
Ai ka bërë me dije se Zyra e BE-së në Kosovë që nga viti 2015 ka investuar më shumë se 100 milionë euro në mbrojtjen e mjedisit.
“Mbështetja e Zyrës së BE-së përfshin përmirësimin e efikasitetit të ngrohjes qendrore përmes ‘Termokos’-it dhe, në të njëjtën kohë, duke e shkurtuar emitimin e dyoksidit të karbonit, si dhe përmirësimin e ngrohjes për së paku 60 mijë personave në Prishtinë”, ka thënë Szunyogu.
Ai ka bërë thirrje që aktivitete si ky i sotmi të vazhdohen nga të gjithë qytetarët e Kosovës në mënyrë që të gjithë të kontribuojnë në zgjerimin e sipërfaqeve të gjelbra në Kosovë.
Ndërsa Rama tha se sot është një ditë e mirë për Prishtinën për arsye se transformimi i kryeqytetit po vazhdon, këtë herë në bashkëpunim me Bashkimin Evropian.
“Sot është një ditë e mirë për Prishtinën, një ditë me diell. Po e vazhdojmë bashkëpunimin me Bashkimin Evropian për transformimin e Prishtinës, për një Prishtinë të gjelbër, Prishtinë ambientale, Prishtinë me fokus në natyrën. Me ndihmën e Bashkimit Evropian dhe në bashkëpunim me fëmijët e shkollës së gjelbër jemi duke bërë mbjelljen e 100 drurëve të blirit, të cilët do të krijojnë hije në kohë të nxehta”, tha Rama.























