Ndikimi i notit në shëndetin e fëmijëve (Video)
BKT
Foto: Emisioni KRITER /RTK
Kosovë

Ndikimi i notit në shëndetin e fëmijëve (Video)

Valbona Tahiri / RTK

Pesha e rëndë e çantave shkollore, mbipesha dhe rritja e shpejt janë faktorët që ndikojnë në përkeqësimin e skoliozës te fëmijët, por jo që edhe e shkaktojnë atë. Por përveç ushtrimet terapeutike, rekomandohen edhe sportet si basketboll, volejboll dhe not.

Nxënësit secilën lëndë e zhvillojnë në klasa dhe kabinete të veçanta varësisht nga lënda mësimore. E tërë kjo realizohet që secila njësi mësimore të jetë sa më e kuptueshme nga nxënësit.

Nxënësit pas lëndës së artit, do të zhvillojnë lëndën e edukatë fizike, sport dhe shëndeti.

Ata në këtë orë mësimore lëndën e edukatës fizike do ta realizojnë në pishinë, e cila është brenda shkollës.

 

Para hyrjes në pishinë i pret mësimdhënësja  Binaze Tërshani. Nxënësit së bashku me arsimtaren vazhdojnë rrugën për në zhveshtore, që të përgatiten për pishinë.

Pas përgatitjeve të rrobave adekuate për not, nxënësit tashmë janë në pishinë, të cilët para hyrjes në ujë vazhdojnë me ushtrimet për nxehjen e muskujve.

Pas ushtrimeve, nxënësit tani janë gati për zhvillimin e notit me rregullat e tij në pishinën gjysmë olimpike.

Sportit të notit në këtë shkollë i kushtohet tejet rëndësi. Nxënësit që nga klasa e parë në “Zenit” fillojnë ta mësojnë notin sipas rregullave. Gjatë javës ata i mbajnë 2 orë mësimore në not, njërën në lëndën e edukatës fizike dhe tjetrën në orën e lëndës zgjedhore.

Nxënësit lëndën e edukatës fizike, gjegjësisht zhvillimin e sportit të notit e cilësojnë si njërën ndër lëndët e preferuara.

“Prej kur kam qenë e vogël e kam parë babin tim duke notuar dhe kam pas dëshirë ta vazhdojë pasi më ka pëlqye si sport dhe diku prej 5-6 vjeçe kam qenë  në klasën e parë kur kam filluar me notin”, thotë  Eda Dobra, nxënëse e klasës së 6-të.

“Unë kam filluar me u marrë me këtë sport që nga klasa e 2-të, më pëlqen se është edhe argëtues dhe edukativ në të njëjtën kohë”,  tha nxënësja e klasës së gjashtë, Urata Muhadri .

Madje nxënësit tregojnë se me zhvillimin e notit ndjehen të relaksuar tej mase, e madje kjo ndikon shumë pozitivisht edhe në fokusimin e tyre edhe në lëndët e tjera mësimore.

Nxënësit ndanë edhe përvojat e tyre që me ushtrimet e notit, i kanë tejkaluar problemet që i kanë pasur me dhimbjet në shpinë.

Madje nxënësit sportin e notit ia rekomandojnë edhe fëmijëve të tjerë.

 “Notin ia rekomandojë secilit fëmijë pasi përveç që argëtohesh është i mirë edhe për shëndetin” tha Harea Veliu nxënëse e klasës së 6-të.

Pishinën e përdorin edhe nxënësit e shkollave të tjera, për dëshirë apo edhe si pjesë të ushtrimeve që të përmirësojnë problemet nga skolioza.

“Po ka pas nxënës, unë po e përmendi që shumë nxënës në këtë kohë shpenzojnë kohë në pajisje teknologjike se sa me sport me aktivitete, që është një e metë e dëmshme, nxënësit këtu kanë pas probleme me skoliozë, por janë përmirësuar, këtë e kemi diskutua edhe me trajnerët e notit, me rekomandim të fizioterapautit, ata që kanë bërë not 3 – 4 herë në javë i është zvogëluar shkalla e dëmtimeve në shpinë nga skolioza”, theksoi arsimtarja e edukatës fizike Binaze Tërshani.

Drejtori Butrint Deshishku vë në dukje se secila lëndë mësimore realizohet në bazë të standardeve evropiane, ku nxënësi është në qendër të secilës fushë mësimore.

 “Kemi qenë me fat që edhe infrastruktura na mundëson që shumicën e aktiviteteve ta plotësojmë në përpikëri. Notin e organizojmë edhe si lëndë shtesë për fëmijët nga klasa e parë deri në klasën e 12-tën. E tërë kjo për neve është krenari por në të njëjtën edhe përgjegjësi që nxënësit nga këtu të dalin të përgatitur për secilën fushë të jetë...” tha drejtor i shkollës “Zenit” Butrint Deshishku.

Në hapësirat e pishinës pas përfundimit të procesit mësimor, zhvillohen edhe stërvitje të notit nga fëmijët dhe adoleshentët nga e gjithë Kosova në klubin “Zenit Sport Academy”, i cili është krijuar tani e dy vite. Në garën  e fundit të organizuar në Shkup, rrëmbyen vendet e para duke marrë medalje të arta në kategorinë e vajzave Erina Idrizaj, e në atë të djemve Den Hyseni.

Me daljen triumfues në gara vendore e ndërkombëtare nga ky klub, nxënësit përfitojnë edhe bursa shkollimi në fushën e sportit.

Sporti i notit te fëmija:

-         Përmirëson funksionin e lëvizshmërisë dhe të muskujve

-         Stimulon funksionimin e rregullt të sistemit kardiovaskular

-         Mundëson zhvillimin e duhur psikomotorik

-         Parandalon shfaqjen e deformimeve në shtyllën kurrizore

-         Fitojnë vetëbesim

Madje nëpërmjet sportit të notit fëmijët bëhen social dhe shoqërohen me bashkëmoshatarët.

Doktoresha, specialiste e mjekësisë fizikale dhe rehabilitetit, Valbona Krasniqi vë në dukje së në Kosovë në tre mujorin e këtij viti numri i fëmijëve që janë paraqitur me skoliozë është rreth 100. Faktorët për skoliozë te fëmijët janë të ndryshme, por pesha e çantës së rëndë shkollore sipas doktoreshës Krasniqi është faktor ndikues që ndihmon në përkeqësimin e skoliozës por jo që e shkakton ajo. Në bazë të shkallës së lakesës, moshës së fëmijës përcaktohet edhe mënyra e trajtimit. Si hapë të parë rekomandohen ushtrimet terapeutike, pastaj edhe sportet si basketboll, volejboll dhe not.             

“Shumë shpesh vijnë prindërit me atë brengën se çanta është një prej faktorëve që mundet me shkaktua skoliozën, ajo nuk e shkakton por mund ta favorizojë, një ndër paraqitjet e skoliozës është edhe rritja e shpejt e fëmijëve. Në zhvillimin e fëmijës dhe muskulaturës truporve sportet si basketboll, volejboll dhe noti janë ato që ndikojnë pozitivisht edhe në përmirësimin e probleme me skoliozë të fëmijët...” – tha doktoresha fiziatër Valbona Krasniqi.

Shkolla e parë e notit u hap në vitin 1908 në Rusi. Derisa noti u bë zyrtarisht sport olimpik në vitin 1896. E garat e para ndërkombëtare në not u mbajtën në vitin 1899, në Budapest.

 


MË SHUME NGA Kosovë