Shkolla në Mitrovicën e veriut, që po i reziston mbylljes (Video)    
Foto: Emisioni
Kosovë

Shkolla në Mitrovicën e veriut, që po i reziston mbylljes (Video)    

Trëndelina Ramadani/RTK

Mitrovica dikur njihej si qyteti i minatorëve  dhe si qyteti që shtrihet në mes të dy lumenjve ‘Ibrit” dhe “Sitnicës”, me numër të madh të banorëve, me kulturë të zhvilluar dhe me veprimtarë e intelektualë të shumtë. Por qyteti që dikur kishte nam, tanimë ka mbetur i heshtur.

Derisa në Veri mbetën disa institucionet që ishin para shumë viteve, pak kilometra larg tyre të njëjtat u ndërtuan në Jug të qytetit, por jeta nuk është e njëjtë për banorët shqiptarë të cilët u detyruan që pas çlirimit të Kosovës t’i braktisin pronat e tyre. Shumica nga ta, më vonë i shitën  pronat në veri.

Sot 23 pas luftës , i vetmi institucion shqiptar në Mitrovicën e veriut  që po i reziston rrethanave është paralelja e ndarë e shkollës të mesme të ulët “Aziz Sylejmani”.

Në vitin 1999 shkollës fillore “Aziz Sylejmani” në veri , përfundimisht iu mbyllën dyert për nxënësit shqiptarë. Por, mësimdhënësit nuk lejuan që kjo shkollë të shuhet në veri. Menjëherë po në atë vit, kishin arritur të hapin shkollën “Aziz Sylejmani” , fillimisht në shtëpi private, pastaj në shkollë por, të improvizuar në kontejner, pak më lart se shkolla amë në “Kodrën e Minatorëve”.

 “Filloi mësimi, isha e lumtur që fëmijët po shkojnë në shkollë nuk kisha frikë”, Resmije Sanaja –Vokrri, ish mësimdhënëse në këtë shkollë, tani në pension.

 “Më mirë në kontejner se në shtëpi sepse është me rëndësi që fëmijët mos ta hetojnë krizën”, thotë ajo për RTK-në.

Udhëtimi I mësimdhënësve në vitin 2000, bëhej me automjete ushtarake të KOFOR-it.

“Por vit pas viti, po pakësohet numri i nxënësve”, thotë Flamur Gacaferi, drejtor i kësaj shkolle. “Sot kushtet i kemi por nxënës nuk kemi”

Këtu mësimi zhvillohet në dy ndërrime. Ka klasë me një nxënës dhe më së shumti ka klasë me katër nxënës.

Mungesa e nxënësve e vështirëson edhe më shumë mësimdhënien .

Ata detyrohen të luajnë edhe rolin e shokut apo shoqes që nxënësi të mos ndihet i vetmuar.

 “Ora është pak më e zbrazët sepse nuk ka konkurrencë, por prapë mirë është”, thotë mësimdhënësja  Kumrije Kostanica Tahiri.

Këta fëmijë që po e mbajnë gjallë arsimin shqip në veri të Mitrovicës, fëmijërinë e shkollimin nuk e kanë aspak të lehtë. Madje  ata edhe kur sulmohen e që ka pasur raste, nga moshatarët serb, gjithçka kalon në heshtje. Pastaj sipas mësimdhënësve këtu, në zhvillim të mësimit ndikon cdo incident I ndodhur në komunën veriore.

Kjo paralele e ndarë e shkollës fillore “Aziz ASylejmani”, menaxhohet nga dy komunat. Infrastruktura i takon komunës veriore, ndërsa pagat dhe programi arsimor janë të asaj jugore. Të dy komunat deklarojnë se janë duke i përmbushur të gjitha kërkesat e menaxhmentit të shkollës, në mënyrë që nxënësit të jenë të barabartë me të tjerët.

 “Kemi bërë investime në bazë të kërkesave të udhëheqësit të shkollës dhe jam shumë e kënaqur”, thotë  Ardiana Hoxhiq, nënkryetare e komunës së Mitrovicës së veriut.

Megjithëse kontejneri që shërben si shkollë  tani i ka kushtet shumë më mirë sesa para disa viteve, për zëvendës kryesuesin e Kuvendit Komunal në Veri, Skënder Sadiku, kjo nuk është zgjidhje.

Sipas tij, këta nxënës për tu mos u diskriminuar duhet të kthehen në shkollën amë që është disa metra larg këtij kontejneri por që mban emrin “Sveti Sava”.

Megjithatë,  një gjë e tillë shihet me skepticizëm nga udhëheqës komunal të veriut.

 “Është e turpshme që të lihen në atë gjendje fëmijët kemi kërkuar që këta fëmijë të kthehen në shkollën amë në veri”, thotë Skender Sadiku zv. kryesues në Kuvendin komunal në Mitrovicë të Veriut.

 “Fatkeqësisht Mitrovica veriore është e ngjyrosur me ndikim të politikës së larte dhe asnjëherë nuk është diskutuar kthimi I fëmijëve shqiptarë në shkollën amë”, thotë Ardiana Hoxhiq, nënkryetare.

Ndërkaq në ministrinë e Arsimit në Prishtinë thonë se kjo nuk është gjendja e dëshiruar, por presin që situate e sigurisë të përmirësohet dhe nxënësit të mësojnë në shkollën amë.

Shkolla “Aziz Sylejmani” që dikur kishte më së shumti nxënës në Mitrovicë, sot funksionon e ndarë në tri në paralele, më në realitet kjo shkollë është vetëm një kujtim i bukur I gjeneratave më të vjetra dhe një realitet i hidhur i ditës së sotme.

 Një paralele e “Aziz Sylejmanit” sot punon edhe në Suhodoll, shkollë e ndërtuar nga Qeveria e Kosovës pas vitit 2000, një tjetër paralele me më shumë nxënës punon në një kat të shkollës “Anton Zako Cajupi” në jug të Mitrovicës dhe një paralele në kontejner në “Kodrën e Minatorëve” në Veri të Mitrovicës.

Tani, vetëm emri i shkollës  figuron në dokumentacion të mësimdhënësve, por ata janë të shpërndarë.

Për Ministrinë e Arsimit në Prishtinë është shumë e rëndësishme që kjo paralele të jetë funksionale në veri që nxënësit shqiptarë të mos mbesin pa shkollë edhe pse në kontejner.

 “Arsyeja e këtij kontejneri  është që mos të mbyllet shkolla”, thotë Dukagjin Pupovci, zv.ministër i MASHT-it.

Por, ndërtimi I një objekti shkollor në ‘Kodrën e Minatorëve’ duket se nuk do të realizohet asnjëherë.

 “ Është numër i vogël I nxënësve  nuk ka mundësi të ndërtohet një shkollë”, thotë zv.ministri Pupovci.

Pavarësisht specifikave të Veriut të Mitrovicës, paralelja e shkollës së dikurshme “Aziz Sylejmani” tash e 23 vjet përcjellë gjenerata të nxënësve.

Mësimdhënësit e udhëheqësit e shkollës, thonë se përveç obligimit që e kanë për t’iu bartur dije fëmijëve, këtu ndjehen edhe krenar për kontributin e tyre, që këta pak fëmijë të kësaj ane, të mos mbesin pa shkollë dhe mos të detyrohen të udhëtojnë në shkollat tjera në jug të Mitrovicës.

Prandaj, mësimdhënësit mbesin ura lidhëse në mes jugut dhe veriut

“Jam shumë i lumtur që 20 vjet që kam arritur të mbaj shkollën shqipe gjallë në veri”, thotë Flamur Gacaferri, drejtor i shkollës.

 


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa