Do të hiqen tri periudhat, mësimi rikthehet me dy gjysmëvjetorë
Foto: Arberie Nagavci/Facebook
Kosovë

Do të hiqen tri periudhat, mësimi rikthehet me dy gjysmëvjetorë

Jeton Musliu / RTKlive

Pritet që nga viti i ardhshëm shkollor, të mos ketë më tri periudha, por siç ka qenë gjithmonë më parë, viti të ndahet në dy gjysmëvjetorë.

Ngarkesat administrative që janë evidentuar dhe ngarkesa me letra e formularë, shpesh të panevojshme kanë bërë që Ministria e Arsimit të reflektojë e të shqyrtojë mundësinë për ndryshime.

Përveç kësaj, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se ky ndryshim do të bëhet me kërkesë të vetë nxënësve, mësimdhënësve por edhe prindërve.

“Për vlerësim sa më objektiv, të drejtë, transparent, valid e më praktik, të nxënësve, me Udhëzimin e ri Administrativ, i cili është në diskutim publik, viti shkollor është paraparë të jetë i ndarë në dy periudha kohore (gjysmëvjetori i parë dhe gjysmëvjetori i dytë)”, deklaroi ministrja Nagavci, në postimin e saj në Facebook.

Këtë Udhëzim Administrativ, ajo edhe e ka publikuar duke kërkuar nga qytetarët që deri të mërkurën, të japin sugjerimet e tyre për plotësim-ndryshim.

“Ndryshimi i këtij dokumenti të rëndësishëm, është iniciuar me kërkesë të mësimdhënësve, nxënësve e prindërve, pasi që është vlerësuar se ndarja e vitit shkollor në tri periudha, siç ka qenë deri më tani, paraqet sfida dhe vështirësi të shumta, ngarkesë të panevojshme formale e administrative dhe rrezikon përmbajtjen e materies vlerësuese”, deklaroi Nagavci.

Ajo tha se udhëzimi i ri Administrativ reflekton në përmbajtje cilësore të vlerësimit të nxënësve, shkarkimin e ngarkesës administrative për mësimdhënësit si dhe  informimin me kohë të nxënësve dhe prindërve për suksesin dhe rezultatin e nxënësve në lëndët e caktuara.

 


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa